Komisioni për lajmin e rremë të RTK-së: Tani veç me kryesues, raportohet se askush s’po pranon të bëhet anëtar
Komisioni që do të merret me lajmin e rremë të publikuar në Radiotelevizionin e Kosovës ka mbetur pa anëtarë. “Periskopi” raporton se deri më tani është zgjedhur vetëm kryesuesi, që është Menduh Hysa.
Mediumi ka mësuar se askush nuk po pranon të bëhet pjesë e komisionit.
Hysa ndërkaq, në një deklaratë ka thënë se të hnën do të mbahet një mbledhje, ku do të diskutohet rreth hapave të mëtutjeshëm.
“Ne ende nuk jemi përbërje e plotë zyrtarisht dhe këtë do ta bëjmë javës që vjen, në fillim të javes- të hënën më saktë edhe do të ulemi dhe do të shohim se çka do të bëjmë. Komisioni u formu me një vendim të u.d drejtoreshes se përgjithshme të RTK dhe tash ne duhet të takohemi të hënën, kjo përbërje e këtij komisioni ad- hoc edhe vendosim tutje se cfare do të bëjmë.” – ka thënë ai.
Pyetur për anëtarët e tjerë, Hysa u përgjigj si vijon:
I pyetur se cilët janë emrat e anëtarëve të tjerë të komisionit, Hyseni tha se ka ende dilema për këtë.
“Besoj kur keni arritur ta gjeni emrin tim i keni edhe të tjerët po supozoj. Ka edhe këtu pak dilema të hënën qartësohet”.
Vlen të theksohet se nga e hëna, ka pasur reagime të ashpra në lidhje me raportimin e RTK-së ku shprehen akuza të rënda ndaj Nacionales dhe Periskopit.
Shumë gazetarë të transmetuesit publik janë distancuar nga ky veprim, e madje ka pasur edhe dorëheqje.
Megjithatë, RTK-ja nuk ka marrë ndonjë veprim konkret, përveç themelimit të një komisioni ad-hoc.
“U.d drejtoresha ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”– thuhej në një komunikatë të bordit.