Komisioni i Venedikut do ta thotë fjalën e fundit për Veting – çka është ky komision dhe si funksionon?
Është çështje ditësh kur një institucion ndërkombëtar pritet ta thotë fjalën e fundit për procesin e Vetingut, njërën prej reformave më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Se cilat pritet të jenë ndryshimet kushtetuese, Gazeta Nacionale ka raportuar edhe më herë, kurse sot sjellim përvojën e mëhershme të Kosovës me Komisionin e Venedikut, historinë dhe rëndësinë e këtij institucioni.
Tani po bëhet për Veting, por Komisioni i Venedikut, si adresë për institucionet e Kosovës, nuk ka qenë i panjohur. Për çështje të ndryshme, Kosova i është drejtuar disa herë këtij mekanizmi të Këshillit të Europës për të kërkuar rekomandime rreth temave të ndryshme.
Kosova i është drejtuar Komisionit me kërkesë për opinon rreth ndryshimeve ligjore për Këshillin Prokurorial. Venediku, në parim, kishte mbështetur reformën në KPK, por kishte tërhequr vërejtjen se reformimi i Këshillit Prokurorial nuk duhet të çojë në subordinimin e tij ndaj shumicës parlamentare.
Në dhjetor të vitit 2020, Komisioni kishte publikuar një opinion edhe mbi draftin e Ligjit për Qeverinë, teksa në hyrje të opinionit kishte theksuar se duhet pasur parasysh specifikat që ekzistojnë në Kosovë. Aty ishin përmendur mungesa e stabilitetit institucional, që ndërlidhet me faktin se Qeveria dhe Presidenti zgjedhen nga Parlamenti, i cili në shumë raste nuk ka pasur shumicë të konsoliduar. Ndër tjera, kishte vërejtur se kufizimi i numrit të ministrave nuk është praktikë e zakonshme dhe në këtë drejtim duhet të ketë fleksibilitet.
Këto kanë qenë disa nga përvojat më të përfolura në Kosovë. Por, Komisioni i Venedikut është i njohur edhe për opinionin në Shqipëri, pasi kjo e fundit i është drejtuar disa herë, veçmas për vetingun atje dhe për zgjedhjet e 30 qershorit, ku protagonist kryesor ishte Presidenti Ilir Meta.
Rëndësia e Komisionit të Venedikut
Komisioni përmendet kohë pas kohe. Kryesisht, një gjë e tillë bëhet për opinionet që jep në raste specifike juridike, të cilat krijojnë dilema dhe prodhojnë debate në vende të ndryshme.
Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit, i njohur thjesht si “Komisioni i Venedikut”, është një trup këshillëdhënës i Këshillit të Europës, që ofron këshilla juridike në çështje kushtetuese. Përmes këtyre këshillave, ofron ndihmë për shtetet e interesuara në vënien e strukturave ligjore dhe institucionale në harmoni me standardet europiane dhe përvojat ndërkombëtare në demokraci, të drejta të njeriut dhe sundim të së drejtës.
Parimisht, Komisioni i Venedikut punon në tri sfera:
institucione demokratike dhe të drejta themelore;
drejtësi kushtetuese dhe drejtësi e rëndomtë;
zgjedhje, referendume, parti politike.
Ndonëse Komisioni që ka 62 shtete anëtare të rregullta është trup i Këshillit të Europës, 15 prej vendeve anëtareve (duke përfshirë dhe Republikën e Kosovës) nuk janë pjesë e KE-së.
Secili shtet dërgon atje ekspertë vendorë për t’u bërë pjesë e Komisionit. Shumica i dërgojnë nga dy persona për anëtarë të Komisionit. Nga Kosova, aktualisht anëtarë janë Dr. Qerim Qerimi dhe Dr. Visar Morina (anëtar zëvendësues). Individët atje janë zakonisht profesorë të së drejtës publike dhe ish-gjyqtarë të gjykatave kushtetuese, të cilët kanë përgatitje dhe reputacion të lartë. Në punën e tyre ata janë të pavarur dhe nuk ndikohen nga asnjë shtet.
Që nga themelimi, më 1990, Komisioni i Venedikut ka pasur në thelb idenë që aktet e shteteve të jenë brenda kufijve të përcaktuar me kushtetutë dhe ka përkrahur forcimin e gjykatave kushtetuese për të siguruar kushtetutshmërinë.
Opinionet e Komisionit të Venedikut vlerësohen jashtëzakonisht lart nga juristët anembanë botës, ngase ato janë opinione të argumentuara detajisht nga juristë profesionistë, të pavarur e paanshëm.
Komisioni nuk jep opinione me nismën e vet, por vetëm për ato çështje, të cilat i parashtrohen atij nga shtetet anëtare, Këshilli i Europës dhe organizatat ndërkombëtare siç është rasti i Bashkimit Europian. Komisioni mblidhet në Venedik katër herë në vit për sesione plenare dhe pikërisht kjo është arsyeja përse njihet si “Komision i Venedikut”, përkundër faktit që sekretariatin e përhershëm e ka në qytetin e Strasburgut.
