Komisioni Evropian thotë se liberalizimi i vizave s’vlen për pasaportat që lëshon Serbia - NACIONALE

Komisioni Evropian thotë se liberalizimi i vizave s’vlen për pasaportat që lëshon Serbia

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Komisioni Evropian ka konfirmuar se liberalizimi i vizave që u miratua për Kosovën vlen vetëm për ata që kanë pasaportën e Kosovës, dhe jo për ata që kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe. Kjo do të thotë se serbët në Kosovë janë përjashtuar nga liberalizimi i vizave.

“Regjimi i vizave do të mbetet i vlefshëm vetëm për ata shtetas në Kosovë, pasaportat e të cilëve lëshohen nga Administrata Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Serbisë,” – ka thënë zëdhënësja Anita Hipper, në një përgjigje për REL.

Tutje ajo ka thënë se BE-ja do të sigurojë që këto kushte të përmbushen para se të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në regjimin pa viza të BE-së.

“Derisa ecim përpara me liberalizimin e vizave për Kosovën, BE-ja është e vendosur të sigurojë që të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në regjimin pa viza të BE-së, me kusht që ekzistojnë rrethanat për udhëtim të sigurt”, tha Hipper.

Kujtojmë se Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë dhënë vendimin final për liberalizimin e vizave, duke votuar pro lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovë nëpër zonën Schengen.

Pas një pritje për më shumë se një dekadë, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza që nga 1 janari i vitit 2024.

Lajme të ngjashme