Komandanti i ushtrisë amerikane e viziton vendin ku po trajnohen ushtarët ukrainas
E hëna ishte vetëm dita e dytë për ushtarët ukrainas në programin e ri trajnues të ushtrisë amerikane, por mesazhi po u vinte me zë të lartë dhe qartë.
Kjo është kohë urgjente dhe mësimet që do t’i marrin ata gjatë pesë javëve të ushtrimeve me armë, automjete të blinduara e teknika më të sofistikuara të luftimeve, janë kritike përderisa po përgatiten për ta mbrojtur vendin e tyre kundër pushtimit rus.
“Ky nuk është vrapim për rrotullimin e flatrës së mullirit. Ky është njëri nga ato momente në kohë kur ju dëshironi që të bëni një dallim, ky është ai”- tha komandanti i përgjithshëm i ushtrisë amerikane, Gjeneral Mark Milley, kur u takua me komandantë të tjerë.
Ai e vizitoi zonën e gjerë të trajnimeve në Grafenwoehr të Gjermanisë për ta parë nga afër të ashtuquajturin udhëzim të kombinuar për armë dhe tha se ky ushtrim do t’i përgatisë më mirë trupat ukrainase për të nisur një ofensivë ose për të zmbrapsur ndonjë rritje të sulmeve ruse.
Gjenerali Milley kaloi pak më pak se dy orë në “Kampin Kherson” – sektor i bazës, që i është vënë emri sipas një qyteti në Ukrainë, ku trupat ukrainase shënuan një fitore kyçe kundër Rusisë vitin e kaluar. Më shumë se 600 ushtarë ukrainas e filluan programin e trajnimit në këtë kamp vetëm një ditë para vizitës së mysafirit të veçantë.
Për herë të parë që nga fillimi i luftës para gati një viti, gazetarëve iu dha qasje e gjerë për të parë pjesë të ndryshme të ushtrimeve. Ata e patën mundësinë që të shkonin pas komandantit amerikan dhe ta përcillnin komunikimin e tij me ushtarë e komandantë ukrainas e amerikanë, por nuk patën të drejtë që të raportonin për biseda specifike me forcat ukrainase ose që të bënin fotografi a video.
Shtetet e Bashkuara me vite kanë kryer trajnime në Grafenwoehr, përfshirë ushtrimet për forcat e vendeve të NATO-s. Megjithatë, trajnimet e kufizuara për forcat ukrainase nisën vitin e kaluar, pak pas fillimit të luftës.
Muajin e kaluar, Pentagoni njoftoi se do ta zgjerojë trajnimin në përpjekje për t’i zhvilluar shkathtësitë e ushtarëve ukrainas. Përmes kursit pesëjavor, ata do të mësohen për t’i lëvizur dhe për t’i bashkërenduar në mënyrë efektive njësitet e tyre me madhësi të kompanive e batalioneve në betejë, duke përdorur artileri të kombinuar, automjete të blinduara e forca tokësore.
Në ushtrime do të përfshihen udhëzime të mbajtura në klasa e punë në terren, të cilat do të fillojnë me ekipe të vogla dhe do të zgjerohen gradualisht për të përfshirë njësite më të mëdha. Trajnimi do të kulmojë me një ushtrim më kompleks luftarak, me të cilin do të bëhen bashkë një batalion i tërë dhe një shtab i përgjithshëm.

