Koloneli amerikan flet për përjashtimin e Kosovës nga ‘Defender’: ShBA-ja ishte e shqetësuar për sigurinë
Koloneli Martin O’Donnell, zëdhënës i Komandës së Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, është deklaruar pas përjashtimit të Kosovës nga ushtrimi “Defender Europe 23”.
O’Donnell në një intervistë për “Deutche Welle” u shpreh se për shkak të rrethanave në Kosovë dhe shqetësimeve të ShBA-së, ky ushtrim përfundoi më herët.
Megjithatë, ai shton se stërvitja u konsiderua sukses.
“Kosova ishte pjesë e Reagimit të Menjëhershëm, një nga tri stërvitjet e veçanta, por të lidhura me DEFENDER 23 që përfundoi muajin e kaluar, më 30 maj. Për shkak të rrethanave në Kosovë dhe shqetësimeve të SHBA-së për situatën e sigurisë, Komanda Evropiane e SHBA-së përfundoi pjesën e stërvitjes DEFENDER 23 më herët nga sa ishte planifikuar. Pavarësisht përfundimit të hershëm stërvitja konsiderohet një sukses pasi trupat nga Shtetet e Bashkuara, Kosova, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin në gjendje të ushtrojnë aftësi ushtarake dhe të forcojnë ndërveprueshmërinë gjatë gati dy javëve të stërvitjes ushtarake.” – deklaroi ai.
Vlen të theksohet se ShBA-ja kishte konfirmuar se përjashtimi nga ky ushtrim, është një pasojë për Kosovën pas situatës së tensionuar në veri të vendit gjatë ditëve të fundit.