Klinaku për Ditën e Veteranit: Urime edhe bashkëluftëtarëve që gjenden padrejtësisht në Hagë
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, ka uruar Diten e Veteranit, e cila është më 30 dhjetor.
Klinaku ka treguar edhe agjendën për nesër, duke njoftuar e do të ketë vizitë te Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Vizita në Prekaz, vjen edhe si simbolikë e kësaj date, meqenëse ishte pikërisht 30 dhjetori i vitit 1991 kur familja Jashari e bëri betejen e saj me forcat ushtarako-policore Jugosllave.
Pra është pikërisht kjo betejë e kjo datë që është vendosur të quhet Dita e Veteranit.
Klinaku nuk ka harruar pa i përmendur edhe bashkëluftëtarët që sipas tij, gjenden padrejtësisht në Hagë.
Statusi i plotë i Klinakut:
Familja Jashari, që në vitet e 90-ta u ballafaqua me pushtuesin në Kosovë. Beteja e parë mes tyre dhe forcave ushtarako-policore Jugosllave u bë në mëngjesin e 30 dhjetorit të vitit 1991.
Triumfi i familjes Jashari në këtë betejë, shënohet si "Ditë e Veteranit".
Edhe në këtë përvjetor do t'i nderojmë ata që bënë të mundur ta gëzojmë lirinë. Me këtë rast, Organizatat e dalura nga Lufta e UÇK-së, nesër më 30 dhjetor 2022, në ora 10:00, do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial ‘’Adem Jashari’’ në Prekaz, ndërsa degët do të bëjnë homazhe në varrezat dhe lapidarët kudo në Kosovë.
Dëshmorët, veteranët dhe invalidët e luftës së UÇK-së janë shembull i sakrifikimit për ideale dhe për lirinë e popullit tonë.
Edhe këtë vit e shënojmë me shumë goditje për luftën tonë, për shkak se bashkëluftëtarët tanë gjenden padrejtësisht të paraburgosur në Hagë.
Urime edhe atyre kjo ditë!
Urime "Dita e Veteranit"!