Klinaku: Organizatat e dala nga lufta e mbështesin protestën kundër Gjykatës Speciale - NACIONALE

Klinaku: Organizatat e dala nga lufta e mbështesin protestën kundër Gjykatës Speciale

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Faton Klinaku, sekretar i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, ka bërë publik qëndrimin në favor të protestës kundër Gjykatës Speciale, që është ftuar nga Partia Socialdemokrate e Dardan Molliqajt. Në një postim në Facebook, z. Klinaku ka theksuar se organizatat e dala nga lufta e UÇK-së e mbështesin protestën që do të mbahet më 24 dhjetor në Prishtinë.

Në postimin e tij, ai u ka bërë thirrje veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të bashkohen në protestën kundër Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

“Organizata e dala nga lufta e UÇK-së, mbështesin protestën e organizuar kundër Gjykatës Speciale.

Me këtë rast, ju bëjmë thirrje veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së që të marrin pjesë në protestën e së shtunës, 24 dhjetor 2022, ora 14:00, sheshi ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë.” – shkroi ai, transmeton Nacionale.

Kujtojmë që dje, PSD-ja njoftoi në një konferencë të jashtëzakonshme për media, se ka caktuar datën për protestën kundër Gjykatës Speciale. Në fjalën e kryetarit të kësaj partie, Dardan Molliqaj, u njoftua se protesta do të mbahet me 24 dhjetorin si datë për protestë kundër Speciales, pas vendimit të saj për dënimin e ish-komandatit të UÇK-së, Salih Mustafa.

“Gjykatat që sjellin padrejtësi duhet t’i kundërshtojmë fuqishëm sepse ato nuk flasin në emër të popullit të Kosovës. Prandaj ftojmë çdonjërin e çdokënd, që të shtunën, me 24 dhjetor, nga ora 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” të protestojmë një zëri kundër padrejtësisë së Gjykatës Speciale” – shkroi dje Molliqaj në Facebook.

“Për neve dy rrugë janë të qarta sesi duhet të veprohet; Së pari, nevojitet urgjentisht të amadamentohet ligji për Dhomat e Specializuara ashtu që nenet më problematike të ndryshohen e kjo gjykatë të shndërrohet në trup gjykues që sjell drejtësi. Kështu siç është, ajo riprodhon padrejtësi në njërën anë dhe shtrembëron historinë e luftës çliruese të UÇK-së në anën tjetër.” – u shpreh ai.

Për çka u dënua Salih Mustafa?

Dhomat e Specializuara kanë mbajtur seancën përfundimtare rreth akuzave ndaj Salil Mustafës, komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i njohur me nofkën “Cali” gjatë luftës. Në seancën e së premtes, Gjykata Speciale vendosi për akuzat për krime lufte që i ngarkoheshin Mustafës.

Mustafa u shpallë fajtor në 3 nga 4 pikat për të cilat akuzohej. Ai u shpalë fajtor, për ndalim arbitrar, torturë si dhe për vrasje të paligjshme. Duke e dënuar me dënim unik prej 26 vjetëve.

Kurse u shpall i pafajshëm për pikën 2, trajtim çnjerëzor.

"Trupi Gjykues ka përcaktuar dënim me 10 vjet burgim për krimin e luftës të ndalimit arbitrar pika 1. Dënim me 22 vjet burgim për krimin e luftës torturës pika 3 dhe dënim me 25 vjet dënim për krimin e luftës të vrasjes së paligjshme, pika 4. Trupi Gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, në të cilin llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.” – lexoi gjyqtarja në aktgjykimin e saj.

Lajme të ngjashme