KFOR-i 'negocoi tërheqjen e grupit të Radojçiqit', thuhet në raport të Asamblesë Parlamentare të NATO-s
“Pse i latë të iknin terroristët, ju vetë i kishit rrethuar?”.
Këtë pyetje ia shtroi BBC-ja Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, para mëse tre jave në podcast/dokumentarin “Kosovo – euro or bust”.
Kurti i tha BBC-së kështu: “Perimetrin e kishin tejet të gjatë e të madh” dhe se arsyeja që ata ia dolën mbanë t’ia mbathnin “ishte çmimi që paguam ne për shkak se s’deshëm që asnjë nga plumat tonë të binin mbi muret e manastirit ortodoks serb”.
“Ia dolëm të eliminojmë tre terroristë por pasojat ishin që dhjetëra prej tyre ia dolën të na iknin; ndërsa sot ata janë në Serbi”.
Por, kjo del të mos ketë qenë tamam-ashtu. Pse? Se Millan Radojçiqi, kushtimisht thënë, u la të arratisej u bë mëse e qartë në një raport që pritet të miratohet nga vetë Asambleja Parlamentare e NATO-së.
Në raportin e Komitetit për Mbrojtje dhe Siguri, pika 51, aty citohet raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ku shënohet që – po – KFOR-i, në fakt, negocoi tërheqjen për në Serbi të rreth 30 sulmuesve paraushtarak e terroristë që udhëhiqeshin nga famëkeqi Radojçiq.
“Pas një periudhe të shkurtër deeskalimi gjatë verës, në shtator 2023, rreth 30 persona të armatosur u përleshën me policinë në Banjska në veri të Kosovës dhe u barrikaduan brenda një manastiri ortodoks serb, duke rezultuar në një rrethim që vrau një oficer policie dhe tre sulmuesit ( Dunai, 2023). Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, në të cilat ata u zhdukën (ICG, 2024)”, thuhet në raport.
“Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra luftëtarë të tjerë ishin fshehur në pyjet midis Banjskës dhe kufirit serb dhe ata zbuluan një sasi të madhe armësh të afta për të shkaktuar dëme dhe viktima të konsiderueshme – kjo përfshin raketa-hedhës antitank, mortaja dhe granatahedhës, anti- mina tankesh dhe 24 automjete (një e blinduar) (ICG, 2024)”.
Këtu raporti që pritet të miratohet në AP të NATO-s i referohet ICG-së e cila muaj më parë kishte shkruar një analizë/raport të krejt situatës të sigurisë në zonat veriroe të banuara me shumicë serbe.
Raporti kishte pikturuar një tablo tejet të errët – për çka edhe ishte injoruar në tërësi nga qeveria kosovare. Aty thuhej që KFOR-i – forca paqembajtëse e NATO-s – duke u frikësuar nga një “kasaphane” kishte negociuar tërheqjen e paraushtarakëve serbë që ia kishin mësyer veriut në shtatorin e vitit të kaluar.
“Një përplasje e tensionuar pasoi midis grupit dhe policisë speciale të Kosovës që i rrethonte. Nga frika e një gjakderdhjeje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë. Kosova beson se deri në 200 luftëtarë të tjerë ishin fshehur në atë kohë në pyllin e dendur midis Banjskës dhe kufirit serb”.
Cili ka qenë konstatimi i fundit për Banjskën?
Sipas Kryeministrit të Kosovës, këtë sulm e kishte organizuar “Klani i Novi Sadit”, që sipas tij, udhëhiqej nga kryeministri i tashëm serb, Millosh Vuçeviq.
”Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq”, kishte shkruar Kurti më 23 tetor të vitit të kaluar.
Postimi i plotë i Kurtit:
Klani i Novi Sadit
Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq.
Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.
Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.
Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.
Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar.