Kështu do të realizohet Vetingu nëse bëhen ndryshimet kushtetuese - NACIONALE

Kështu do të realizohet Vetingu nëse bëhen ndryshimet kushtetuese

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Njëra nga fjalët më të përmendura tash e një vit nën udhëheqjen e Qeverisë Kurti 2, ishte Vetingu. Si premtim në fushatë, e më pas edhe zbatim në praktikë, Ministria e Drejtësisë me të marrë mandatin nisi hartimin e draft-ligjit për reformën në drejtësi, që pritet t’i vlerësojë gjyqtarët e prokurorët. Madje, një gjë të tillë qeveria Kurti po synon ta bëjë me ndryshime kushtetuese. Gazeta Nacionale sjell amendamentet dhe nenet, që Ministria e Drejtësisë ka planifikuar t’i shtojë në Kushtetutën e Kosovës, për t’i hapur rrugë kësaj reforme.

Dy amendamente, dhe 17 nene të reja në Kushtetutën e Kosovës. Ky mund të jetë bilanci i ndryshimeve kushtetuese të hartuara nga Ministria e Drejtësisë, në mënyrë që t’i hapet rruga një prej reformave më të thella në sistemin e drejtësisë në Kosovë, vettingut.

Kjo reformë sipas planit të ministrisë që e drejton Albulena Haxhiu, synon të bëjë një vlerësim të performancës, pasurisë dhe integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që aktualisht janë pjesë e sistemit të drejtësisë, dhe atyre që në të ardhmen mësyjnë këto pozita.

Albulena Haxhiu | Foto nga Valdrin Xhemaj, Nacionale

Në dokumentet e siguruara nga Gazeta Nacionale, në dy prej neneve të Kushtetutës ku flitet për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të shtohet nga një paragraf ku thuhet: “Neglizhenca e rëndë e detyrave përfshin edhe rastet kur prokurori/gjyqtari është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme ose është konstatuar se ka pasuri të pajustifikueshme, ose integriteti i tij është cenuar, ose ka kryer shkelje të rëndë disiplonore siç rregullohet me ligj”.

Një vlerësim kalimtar i cili do të zgjasë për një periudhë 5-vjeçare do të bëhet, e të cilit do t’i nënshtrohen prokurorë, gjyqtarë dhe pozita tjera në sistemin e drejtësisë, por që kjo do të përcaktohet me një ligj që do të krijohet më vonë. Ky vlerësim kalimtar mund të vazhdojë edhe për dy vite të tjera, varësisht nëse një gjë e tillë përcaktohet sipas ligjit.

Vlerësimi i performancës përfshin njohuritë profesionale, aftësinë për arsyetim juridik dhe kompetenca tjera të përcaktuara me ligj. Vlerësimi kalimtar i pasurisë përfshin vlerësimin e deklarimit të pasurisë të subjektit që vlerësohet ose anëtarëve të familjes, duke identifikuar rastet e mospërputhjes mes pasurisë së tij, dhe të ardhurave të tij të ligjshme. Vlerësimi kalimtar i integritetit përfshin vlerësimin e kontakteve të panevojshme që mund të ndikojnë në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive në mënyrë të paanshme dhe objektive nga subjekti në vlerësim, ose kur kjo mund të ndikojë në detyrat dhe përgjegjësitë e tij,”- thuhet në 3 prej neneve që synohet të shtohen në Kushtetutën e Kosovës.

Ky vlerësim do të kryhet nga një autoritet që është quajtur për vlerësim kalimtar, do të përbëhet nga një kolegj vlerësues, paneli i apelit dhe sekretariati i autoritetit. Kolegji që do të kryejë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të përbëhet nga tre anëtarë të cilët, thuhet të jenë juristë dhe personalitete të dalluara me integritet.

Procedurat për emërimin e anëtarëve të këtij komisioni, do të iniciohen nga Zyra e Presidencës së Kosovës, e cila pas një procesi të hapur i dërgon Kuvendit një listë me propozime. Se kush do t’i vlerësojë gjyqtarët e prokurorët, do të vendosin deputetët me shumicë votash, pa specifikuar nëse bëhet fjalë për shumicë të thjeshtë apo të kualifikuar.

Por, cilat do të jenë masat që do të merren ndaj gjyqtarëve apo prokurorëve, që nuk do ta kalojnë procesin e verifikimit?

“Në varësi të rezultatit, Paneli vlerësuar konfirmon kalimin e vlerësimit ose vendos për njërën nga këto sanksione: për gjyqtarët dhe prokurorët, kalimi në gjykatë apo prokurori më të ulët. Për poste tjera në Ministrinë e Drejtësisë, transferim i përhershëm në një pozicion më të ulët ku ata shërbejnë. Trajnim i detyrueshëm sipas ligjit. Propozim për shkarkim. Kandidatët për gjyqtarë dhe prokurorë, apo pozita tjera në sistemin e drejtësisë nëse nuk e kalojnë këtë vlerësim, nuk mund të emërohen në ato pozita”, thuhet në nenin 166, që po synohet t’i shtohet Kushtetutës së Kosovës.

Sipas këtyre amendamenteve që hartuara nga MD-ja, secili autoritet publik apo privat, vendës apo ndërkombëtar, duhet të bashkëpunojë me autoritetin për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Një gjë të tillë, janë të obliguar ta bëjnë edhe vetë ata që i nënshtrohen vlerësimit. Nëse një gjyqtar apo prokuror refuzon të vlerësohet, ndaj tij propozohet masa e shkarkimit.

Në rast se subjekti në vlerësim jep dorëheqje para fillimit të vlerësimit, atëherë procedura ndaj tij nuk zbatohet. Në rast se subjekti jep dorëheqje pas fillimit të procedurës, ai nuk mund të emërohet gjyqtar, prokuror, anëtar i Këshillit Gjyqësor apo Prokurorial, ose në poste tjera në sistmein e drejtësisë, për periudhë 10-vjeçare”, thuhet në nenin 173 që MD planifikon ta shtojë në Kushtetutën e Kosovës.

Për secilin vendim palët kanë të drejtë ankese në një Kolegj të Apelit. Kurse, e gjithë procedura, duhet të jetë transparente. Anëtarëve të autoritetit që do t’i vlerësojë gjyqtarët e prokurorët, mandati do t’iu përfundojë pas 5 vjetësh, kurse të njëjtit karrierën do ta vazhdojnë atje ku kanë qenë më herët.

Pas përfundimit të mandatit të këtij autoriteti, vlerësimi i vazhdueshëm i performancës për gjyqarë e prokurorë, do të vazhdojë me një ligj special.

Por, që këto ndryshime të jetësohen, fillimisht Ministria e Drejtësisë është në pritje të një përgjigjeje nga Komisioni i Venecias. E nëse rekomandimi del të jetë pozitiv, sfida e radhës është sigurimi i 81 votave në Kuvendin e Kosovës. Nga të cilat për këto ndryshime kushtetutese, nevojiten edhe 2/3 e partive minoritare.

Draft-dokumentin e Amandamenteve mund ta lexoni KËTU.

Lajme të ngjashme