Këshilltari i Kurtit që e sulmoi Vlora Çitakun për vitin 2013, ishte këshilltar i Limajt më 2014
Jeton Zulfaj është pjesë e Qeverisë së Kosovës. Më saktësisht, ai është njëri nga këshilltarët e kryeministrit Albin Kurti. Nga kjo pozitë, ai sot është marrë me nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku, duke e kritikuar për një status të 10 viteve më parë rreth Asociacionit.
Në statusin e tij, Zulfaj e ka kritikuar Çitakun, duke e akuzuar se i gëzohej themelimit të Zajednicës, ashtu siç dikur VV-ja i referohej Asociacionit.
“Vlora u pat gëzuar fort kur u pat nënshkruar Zajednica me 2013. Në vend që sot ajo dhe subjekti i saj të kërkojnë falje e të ofrojnë mbështetje për të riparuar gabimin që kanë bërë, ajo pa pikë turpi akuzon qeverinë pse po pranon diçka që ata e nënshkruan. Më kontradiktor e jo-racional se kaq nuk mund të shkosh. Por ka një garë mes PDK e LDK se kush mund të shkojë më poshtë. Uroj ta fitojnë.” – shkruan Zulfaj.
Por Zulfaj nuk ka qenë gjithnjë kaq përkrahës ndaj kryeministrit Albin Kurti. Në fakt, 9 vite më parë, Zulfaj ka qenë në një pozicion tjetër politik. Ishte pjesë e Nismës për Kosovën, si këshilltar i Fatmir Limajt, që edhe sot e udhëheq të njëjtën parti.
Madje, Zulfaj kishte shrkuar edhe një opinion në lidhje me parimet politike të Nismës së Limajt. Në shkrimin e titulluar “Kush është “Nisma për Kosovën”!”, z. Zulfaj teoritizonte në lidhje me bindjet ideologjike e politike të Nismës.
“Për të kuptuar alternativën më të re politike në Kosovë, Nismën për Kosovën, së pari duhet të kuptojmë shkaqet e themelimit të saj. Kërkimi i arsyeve medoemos na dërgon te pakënaqësia dhe papajtueshmëria e përgjithshme me qeverisjen dhe modelin e instaluar politik, ngushtimin e hapësirës për veprim dhe tjetërsimin e funksionit të institucioneve publike. Të gjitha këto çështje ishin ngritur në fjalimin e parë publik të z. Limaj pas procesit të fundit gjyqësor në Malishevë, ku kishte shprehur pakënaqësinë me qeverisjen në mbarë vendin por ndryshimin e kërkonte së pari në vendlindjen e tij.” – thoshte në hyrje z. Zulfaj.
Në paragrafet tutje, Zulfaj vlerësonte lartë Nismën.
“Kjo është Nisma - një hapësirë politike për veprim që ka për qëllim ofrimin e mundësisë për të gjithë ata që konsiderojnë se kanë çka të kontribuojnë për vendin por që strukturat nuk u kanë mundësuar hapësirë, që konstelacionet politike i kanë kufizuar dhe që tjetërsimi i zhvillimeve në kuadër të politikës dhe i institucioneve nuk i ka lejuar.” – shkruante në vitin 2014 Zulfaj, që ishte këshilltar i lartë i z. Limajt.
