Këshilltari i Kurtit: Kosova në CEFTA do të përfaqësohet me fusnotë - NACIONALE

Këshilltari i Kurtit: Kosova në CEFTA do të përfaqësohet me fusnotë

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, ka konfirmuar se Kosova edhe në CEFTA do të përfaqësohet me asteriks, apo e njohur si fusnotë.

Në një konferencë për media, ai është pyetur edhe mbi këtë çështje, ku ka theksuar se përfaqësimi rajonal është ende me asteriks.

“Po, përfaqësimi rajonal ende është me asterisk. Kjo është nga viti 2012 dhe vitin e kaluar, me marrëveshjen e re, marrëveshja bazike ajo adreson në nivel horizontal çështjen e asteriksit. Marrëveshja me Serbinë për njohjen de facto largon asteriksin, sepse nuk është vetëm CEFTA, Kosova gjithandej në organizata rajonale është përfaqësuar me asterisk. Asteriksi ka ardhë në vitin 2012, është e vërtetë që atë kohë është mendu si fjollë bore, por që ka kalu një kohë e gjatë dhe ajo marrëveshje si e tillë, ka kaluar një kohë e gjatë, sidomos me marrëveshjen e re që kemi arritë vitin e kaluar.” ka thënë ai, transmeton Nacionale.

Ndryshe, më herët, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde përmes një shkrimi në platformën “X” ka dhënë lajmin se Kosova nuk do të përfaqësohet më nga misioni i Kombeve të Bashkuara (OKB) – UNMIK-u në Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Europën Qendrore – CEFTA.

“Vërtet një lajm i mirë për Kosovën dhe gjithë rajonin: CEFTA është zhbllokuar dhe tani e tutje, Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj, ashtu siç duhet, e jo nga UNMIK-u. Një hap i madh përpara për përfaqësim dhe pjesëmarrje të barabartë në këtë organ rajonal!”- ka shkruar ambasadori.

Në fillim të kësaj jave, Qeveria e Kosovës hoqi ndalesën për mallrat serbe, pas raportimeve se masa e sigurisë është ndërruar në “kontroll të detajuar” dhe atë vetëm në pikëkalimin kufitar të Merdares.

Kosova u kushtëzua me heqjen e kësaj ndalese ose do të mbetej jashtë Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA) si dhe do të pasonin dëmet sa i përket përfitimit në Fondin e Rritjes të BE-së.

Lajme të ngjashme