Këshilltari i Kurtit e quan Klintonin “mesit”: Duket se është vetëm në rolin e shkuesit në Tiranë
Bekim Qoku, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka shkruar një status të shkurtër në lidhje me vizitën e Bill Clintonit, ish-president i ShBA-së, në Tiranë. Qoku, që e këshillon Kurtin në lidhje me marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut, ka shkruar se Klinton duket se në vizitën në Tiranë erdhi si shkues.
Qoku i Kurtit e ilustroi shkrimin e tij me një fotografi të Klintonit, ku shihet edhe Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, dhe Aleksandër Soros, djali i George Soros, që është udhëheqës i Fondacionit Soros.
“Me gjithë respektin dhe mirënjohjen pafund për 1999, por këtu në vizitën e Tiranës, pa asnjë përfaqësues zyrtar nga Kosova, z. Klinton duket se është vetëm në rolin e shkuesit/m'sitit.” – shkroi ai.
Sipas fjalorit online të gjuhë shqipe, shkuesi është "ndërmjetës për një fejesë, lajmës, mblesës". Ndryshe, postimin e Qokut e ka pëlqyer edhe Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së VV-së.
Qoku i Kurtit "ekzaltohet" me sondazhin
Ndryshe, Nacionale ka raportuar edhe më parë në lidhje me shkrimet e Qokut të Kurtit. Ndryshe Qoku, politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut, ka më shumë se dy muaj që është emëruar këshilltar i kryeministrit Albin Kurti. Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, ditën kur u emërua këshilltar i jashtëm, theksohej se Qoku do ta këshillojë Kurtin për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar z.Bekim Qokun, Këshilltar të Jashtëm Politik të Kryeministrit për marrëdhëniet me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Kurti i uroi z.Qoku suksese në detyrën dhe përgjegjësitë e reja, në funksion të zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut.” – thuhej në njoftimin e Qeverisë.
Nuk dihet nëse Qoku e ka këshilluar ndonjë gjë Kurtin për këto marrëdhënie, megjithatë raportet mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut nuk janë më të mirat të mundshme. Pa dashur të paragjykojmë rëndësinë e këshilldhënies së Qokut, por që nga emërimi në Qeverinë e Kosovës, raportet mes Kosovës e Maqedonisë së Veriut nuk janë përmirësuar. Madje, përkundrazi!
Ditë më parë, për “trazim raportesh e ftohje marrëdhëniesh” mes këtyre dy shteteve, foli Artan Grubi, zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.
Në fakt, Grubi vlerësoi se, për dallim nga raportet me Shqipërinë e Malin e Zi, nuk ka aq shumë komunikim intensiv mes Kosovës e Shqipërisë.
“Me Kosovën ndoshta për arsye të angazhimit shumë të madh të institucioneve dhe autoriteteve kosovare me dialogun dhe me çështjen e hapur me Serbisë, komunikimi nuk është aq intensiv siç është me të tjerët, edhe pse jemi ofruar dhe jemi në dispozicion të plotë. Çdo kapacitet i yni në çdo forum qoftë rajonal, qoftë kontinental, jemi ofruar të jemi në shërbim të plotë ndaj institucioneve të Kosovës” - deklaroi Grubi.
Përtej funskionit që ka në Qevërinë Kurti, Qoku është parë shumë aktiv të profilin e tij në Facebook. Qoku i Kurtit së fundmi i është gëzuar një sondazhi të RTV Dukagjinit, ku VV-ja mori 82 për qind të votave nga respodentët e sondazhit në Viber. Si pasojë e ekzaltimit, Qoku e lavdëroi “gjykimin kolektiv” të shqiptarëve.
“Momente kur krenohesh me gjykimin kolektiv të shqiptarëve, kur kupton që shqiptarët dinë se çfarë është mirë, më e mira për ta.” – shkroi Qoku.

