Kërkesa e Osmanit për masë të përkohshme, Kushtetuesja mund të vendosë para 26 korrikut sipas IKD-së - NACIONALE

Kërkesa e Osmanit për masë të përkohshme, Kushtetuesja mund të vendosë para 26 korrikut sipas IKD-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjykata Kushtetuese mund të vendosë për kërkesën e presidentes Vjosa Osmani para datës 26 korrik, kur edhe skadon afati i vendosur ndaj deputetëve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kështu ka deklaruar Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, duke thënë se “duan të besojnë që kërkesa ka ndodhur me qëllim të mirë”

“Presidentja ka kërkuar masë të sigurisë në 30- ditëshin, e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, kjo është diçka e re dhe nuk është që ka ndodhur ndonjëherë më herët. Por që duam të besojmë që qëllimi është i mirë dhe qëllim ka qenë që në njëfarë mënyre të ndalet kjo krizë politike, krizë që e ka kapluar Kuvendin e Kosovës” – ka deklaruar ai për “EO”.

Miftaraj shtoi se nëse Kushtetuesja e trajton kërkesën si të pranueshme, mund të vendosë shumë shpejt.

“Nëse Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën si të pranueshme, atëherë për masë të sigurisë do të thotë mund që të marrë vendimin shumë shpejt, sepse nuk lëshohet në bazë të meritave, por merr një vendim përmes të cilit Gjykata Kushtetuese e konsideron se një veprim i tillë është i rëndësishëm për të ndalur, si të themi, dëmin që mund të jetë pastaj i parikuperueshëm nëse i njëjti nuk ndërmerret” – ka thënë ai.

Kurse, sa i përket trajtimit të plotë të kërkesës në bazë të meritës, ai tha se Gjykatës Kushtetuese mund t’i duhen një ose dy muaj për të marrë vendim.

“Kjo nënkupton që Gjykata Kushtetuese, përveç që do ta trajtojë aspektin profesional, mund të bëjë kërkesa edhe te Gjykatat Kushtetuese si ‘motra’ me të cilat ka bashkëpunim, t’i bëjë një analizë të duhur në mënyrë që të marrë një vendim i cili i sqaron disa paqartësi, të cilat po interpretohen ndryshe nga Vetëvendosje, ndryshe nga partitë opozitare”.

“Është një rast që ndërlidhet me konstituimin e Kuvendit, po flasim për një krizë politike që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, ndikon në interesat strategjike të Kosovës. Dhe vetë Gjykata Kushtetuese në muajin qershor pothuajse të njëjtën kërkesë kishte trajtuar. Gjykata Kushtetuese, nëse e konsideron si të pranueshme, atëherë mund të themi që ka mundësi që ta trajtojë edhe para datës 26 korrik, që prapë mbetet në diskrecionin e gjykatës për të vendosur”.

Theksojmë se në fillim të kësaj jave, Osmani konfirmoi dorëzimin e kërkesës në Kushtetuese, ku mes tjerash ndodhej një pikë që u pa si në linjë me Vetëvendosjen.

Ajo kërkoi masë të përkohshme, e cila mes tjerash, kërkon edhe pezullimin e afatit kushtetues.

“Së bashku me kërkesën për interpretim ne po ashtu kemi dorëzuar kërkesën edhe për masë të përkohshme, e cila kërkon edhe për pezullim të afatit kushtetues, e parandalon shkeljen e kushtetutës nga ana e Kuvendit, konstituimit pas afatit që do të ishte në kundërshtim me kushtetutën. Pa u pezulluar ky afat, ne nuk mund të parandalojmë këtë dëm të pariparueshëm. Jemi të bindur që kërkesa për masë të përkohshme. Po rrezikohet rendi kushtetues, mbes me shpresë që Gjykata Kushtetuese ta prioritizojë” – tha ajo.

Lajme të ngjashme