Kërcënohet me jetë Presidentja Osmani - NACIONALE

Kërcënohet me jetë Presidentja Osmani

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është kërcënuar me jetë. Lajmi është konfirmuar për gazetën Nacionale nga këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina.

Ai bëri të ditur se kërcënimi është pranuar në emailin zyrtar të Presidencës.

Në emailin të cilin e siguroi Nacionale, kërcënuesi i drejtohet Presidentes Osmani me fjalët “me tra nprit dekt me tlan” dhe gjuhë të ashpër si “kriminele antikushtetuese”.

"Me tra nprit dekt me tlan partis dyt mundsin duhet deri tash kriminele antikushtetuse ordinere ti ha ropt tvraj", thuhet në mesazhin kërcënues në adresë të Presidentes.

Kupina theksoi se rasti është pjesë e një serie të vazhdueshme kërcënimesh serioze ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj. Ai kritikoi ashpër institucionet e drejtësisë, duke i akuzuar për "mos veprim".

“Kërcënimi i kësaj jave është vazhdimësi e kërcënimeve të vazhdueshme me jetë ndaj Presidentes Osmani. Çfarë i bashkon të gjitha? Mosveprimi i institucioneve të drejtësisë.

Përkundër dhjetëra kërcënimeve — shumica prej tyre kërcënime me jetë — asnjë veprim nuk është ndërmarrë ndaj kërcënuesve për vite me radhë. Kjo, edhe pse në shumicën e rasteve, kërcënimet bëhen me emër, mbiemër dhe nga profile të identifikueshme. Disa kërcënime janë bërë madje edhe në emisione televizive, por edhe atëherë kanë munguar veprimet për t’i përballur kërcënuesit me përgjegjësi.” – tha ai.

Kupina shtoi se sipas institucioneve të sigurisë, ky është rasti i vetëm në historinë e tyre kur një seri kërcënimesh me jetë ndaj Presindetit nuk ka rezultuar në përballje me drejtësinë të ndonjë personi.

“Rasti i kërcënimeve të njëpasnjëshme me jetë ndaj Presidentes dhe familjes së saj është i vetmi në historikun e institucioneve, siç na është thënë nga institucionet e sigurisë, ku asnjë nga kërcënuesit nuk është përballur me drejtësinë.

Kur kërcënimet e rënda nuk trajtohen me seriozitetin që meritojnë, ato jo vetëm që nuk ndalen — përkundrazi, inkurajohen. Kjo klimë e rrezikshme nxit të tjerë të ndjekin të njëjtin model: nxitje dhune, thirrje për eliminim fizik dhe përçmim të plotë ndaj rendit kushtetues.” – tha Kupina më tej.

Lajme të ngjashme