KDI: Qeveria nuk duhet të heshtë pas propozimeve të fundit për dialogun me Serbinë
KDI-ja ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos heshtë përball propozimeve të fundit për dialogun me Serbinë.
Përmes një komunikate për medie, ky institut, i cili prej vitesh monitoron procesin e dialogut, ka vlerësuar se dinamikat e reja të dialogut po karakterizohen me mungesë të theksuar të transparencës nga institucionet kosovare.
“Dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në një dinamikë të re pas intensifikimit të vizitave të emisarëve special nga SHBA-ja dhe BE-ja. Nga deklarimet e emisarit Gabriel Escobar për përkrahjen e SHBA-ve ndaj të ashtuquajturit propozim ‘franko-gjerman’, tashmë është konfirmuar ekzistenca e një propozimi konkret që u është ofruar palëve për arritjen e një marrëveshje. Këto dinamika të reja janë duke u karakterizuar nga mungesë e theksuar e transparencës nga institucionet kosovare. Presidentja dhe Kryeministri i vendit ende nuk janë deklaruar lidhur me përmbajtjen dhe qëndrimin e Kosovës karshi këtyre zhvillimeve dhe propozimeve”, është thënë në komunikatë.
Me tej, instituti ka kërkuar nga Qeveria që të thërras një seancë parlamentare ku do të trajtohet kjo çështje.
“Ndonëse KDI mirëpret iniciativën e Kryeministrit Kurti për zhvillimin e takimeve me liderët e partive opozitare në funksion të konsensusit politik, të njëjtat nuk duhet t’i zëvendësojnë obligimet kushtuese e ligjore të Qeverisë për të raportuar në Kuvend dhe për të informuar publikun. Prandaj, KDI kërkon nga Qeveria që në kuadër të kompetencave të saj, të kërkojë mbajtjen e një seance parlamentare ku do të trajtoheshin detajisht zhvillimet e fundit në procesin e dialogut, si dhe qëndrimet e Kosovës ndaj tyre. Në të kundërtën, Kuvendi duhet që të ushtrojë funksionin mbikëqyrës me vetiniciativë, duke e ftuar Kryeministrin në raportim”, është thënë në komunikatë.