Kaos: Policia e Kosovës 'zbarkon' në RTK, kërkon disa dokumente
Policia e Kosovës ka zbarkuar brenda RTK-së ditën e sotme.
Lajmin e kanë bërë të ditura burime të sigurta të Nacionales brenda Policisë.
Sipas burimeve të Nacionales, Policia e Kosovës ka kërkuar disa dokumentacione në RTK.
Nacionale ka kontaktuar me U.D Drejtorin e RTK-së, Hysen Hundozin, nëse kjo ndërlidhet me çështjen e pozitës së drejtorit dhe faktit që i ka skaduar mandati. "Pyetjet dërgoni me Email", ka thënë ai, pavarësisht se Nacionale pyetjet me Email i ka nisur tash e disa ditë.
Për këtë, Nacionale kishte dërguar pyetje tash e sa kohë në adresën e Rilind Gërvallës, Hysen Hundozit por edhe Bordit të RTK-së. Por, asnjëra palë nuk ka kthyer përgjigje.
Nacionale bisedoi në telefon edhe me nënkryetarin e Bordit, Dardan Beqiri, por i njëjti nuk pranoi të përgjigjet nëse ka dijeni dhe ka pasur kontakt me Policinë e Kosovës. "Jam zënë, më vonë bisedojmë", tha ai.
Nacionale është në pritje të përgjigjes edhe nga Policia e Kosovës për këtë rast.
U.D Drejtorit të RTK-së, Hysen Hundozit, i ka skaduar edhe mandati i dytë 6-mujor, dhe aktualisht RTK-ja është pa bord, çka ka shkaktuar hallakamë.
Për këtë kishte raportuar gazeta Online Reporteri, një pjesë të tekstit mund ta lexoni më poshtë:
Kjo është ka shkaktuar edhe një përplasje me komunikime zyrtare me e-mail mes dyshes. Gazeta online Reporteri.net i ka parë një serë korrespondencash elektronike të Gërvallës me Hundozin, të zhvilluara gjatë kësaj jave, e që në to u përfshinë edhe vartësit e tyre.
Në një nga to Gërvalla – që konsiderohet si “dora” e Qeverisë në detyrë Kurti në RTK – i kërkon Hundozit që ta lirojë zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm, pasi thekson se me 31 tetor i ka përfunduar mandati i dytë 6 mujor për ushtrues të detyrës, dhe bordi nuk ka nxjerrë vendim të ri për të.
Hundozi, në përgjigjen e tij me e-mail, refuzon “urdhëron” e Gërvallës. Ky i fundit sërish i shkruan Hundozit. Këtë herë, shkurt dhe qartë, me një fjali: “Liroje zyrën TANI!”.
Pas këtij e-maili urdhërdhënës, Hundozi paralajmëron Gërvallën se do të jetë hera e fundit që pranon të marrë mesazh të tillë, dhe e njofton se nëse vazhdon sërish, atëherë do ta paraqes rastin në polici si kërcënim.
Tutje, në kundërpërgjigjen e tij, Hundozi i sqaron Gërvalles se çfarë nënkupton “kërcënimi” sipas kodit penal të Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Bordi i RTK-së, “i mangët” për nga anëtarët, në gjithë këtë hallakamë po qëndron i heshtur dhe indiferent.
E gjithë kjo përplasje po ndodhë në kohën kur RTK-ja vazhdon të jetë në krizë institucionale dhe financiare, me mungesë buxheti edhe për pagat e punëtorëve, gjë që ka nxitur protestë të disa prej punonjësve, e cila u mbajt të premten por edhe sot para RTK-së.