Kanadaja e ndalon importimin e aluminit dhe çelikut nga Rusia - NACIONALE

Kanadaja e ndalon importimin e aluminit dhe çelikut nga Rusia

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kanadaja të premten e ndaloi importimin e të gjitha prodhimeve të aluminit dhe çelikut nga Rusia. Otava tha se qëllimi i këtij vendimi është që Moskës t’i mohohet mundësia për ta financiar luftën e saj në Ukrainë.

“Ukraina mundet dhe duhet ta fitojë këtë luftë. Ne vazhdojmë që të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i ndërprerë ose për t’i kufizuar të hyrat e përdorura për financimin e pushtimit të paligjshëm e barbar të Ukrainës nga Putini”- tha ministrja e Financave e Kanadasë, Chrystia Freeland.

Vendimi për ndalim të importimit i përfshin edhe prodhimet e përfunduara, edhe ato të papërfunduara dhe do ta prekte importimin e prodhimeve si fletët e aluminit, kontejnerët e aluminit si dhe gypat e çelikut, thuhet në deklaratën e ministres kanadeze.

Kanadaja, bashkë me aleatët e saj perëndimorë, ka ndërmarrë veprime të bashkërenduara kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Otava u ka vënë sanksione mbi 1.600 individëve dhe entiteteve për pushtimin rus dhe e ka përkrahur Ukrainën me ndihma financiare, ushtarake e të tjera me vlerë të mbi 5 miliardë dollarëve kanadezë, raporton agjencia “Reuters”.

“Ne po sigurohemi që Putini të mos mund të paguajë për këtë luftë përmes shitjes së aluminit e çelikut në Kanada, në bashkërendim me masat e marra nga Shtetet e Bashkuara sot”- shtoi zonja Freeland.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara u vendosën taksë 200 për qind aluminit dhe prodhimeve të ndërlidhura me të nga Rusia. Vendimi hyri në fuqi të premten. Alumini rus prodhohet nga kompania “Rusal”, e cila ka rreth 6 për qind të tregut global.

Lajme të ngjashme