"Kam ikë nga shtëpia n’5 t’mëngjesit…” - Pasojat e rikthimit në shtëpinë e dhunuesve
INTERVISTOI DHE SHKROI: ANITA NIKAJ
“Kam jetuar në Suedi për një kohë të gjatë, mirëpo jam kthyer sepse ka qenë nëna e sëmurë, më është dashur që të kujdesem për të”, e nis rrëfimin 42-vjeçarja që në Shtëpinë e Sigurt në Gjakovë është rikthyer për herë të tretë.
Tri herë ka tentuar të kthehet në shtëpinë e bashkëshortit i cili nuk ka qenë dhunuesi, por ka heshtur dhe ka duruar karshi dhunës që ka ushtruar motra e tij ndaj bashkëshortes së tij.
Siç keni pasur mundësi të dëgjoni tri episodet e podcasts nga “Shtëpia e Sigurt” (rrëfimi 1, rrëfimi 2, rrëfimi 3) secila grua brenda mban mbi supe barrën që të përkujdeset për ndonjë anëtar të familjes. E njëjta i ka ndodhur edhe 42-vjeçares, e cila ka hequr dorë nga ëndrrat e saj, për hir të një “roli” që shoqëria ia përcakton grave, ose vajzave të reja në familje.
“Kam pasur deshirë të jem stomatologe”, thotë ajo kur flet për ëndrrat e saj “Para Martese”. Kështu quhet edhe seria e podcastave që është krijuar me rrëfimet për ëndërrat e tyre, fëmijërinë, e krejt jetën para se vajzat të martoheshin.
Personazhi i këtij podcasti megjithatë ka histori ndryshe. Dhunuesi nuk ishte bashkëshorti, por kunata. Bashkëshortin e saj e ka takuar përmes rrjeteve sociale, ku ka besuar se ideja të cilën e ka krijuar për martesë ishte koha që t’i realizohej. Por martesa iu prish nga dhuna.
Viktima të dhunës në familje, shumë herë refuzojnë që të tregojnë edhe për dhunën të cilën perjetojnë nga familjarët e bashkeshortëve të tyre, qoftë ajo fizike por edhe psikologjike, e cila në shumë raste vazhdon të fshihet nga viktimat. Për këtë arsye, rrëfimi i saj vlen shumë.
Arsyeja e fshehjes së kësaj dhune ndodh për arsye të shumta. Nuk duan që t'i përkeqësojnë raportet më bashkeshortët e tyre por edhe se është shumë e vështirë që të besohet nga rrethi shoqëror, por edhe nga institucionet.
“Kunata ma ka thy telefonin, s'kam pasë qysh me e thirrë policinë. Kam dalë prej shpisë në ora 5 të mengjesit, kam vrapu arave deri sa kam mbërri në Pejë, në stacionin e policisë, ku edhe e kam denoncu dhunën të cilën e kam pasë prej kunatës sime.”
Dëgjoni rrëfimin e kësaj gruaje, e cila ka gjetur forcën që më mos të kthehet te familja dhunuese, por të shikojë një të ardhme ndryshe: