Kalifornia goditet nga një stuhi e fuqishme e borës
Një stuhi e fuqishme e borës e ka goditur Kaliforninë e Shteteve të Bashkuara, duke paraqitur rrezik për vërshime e ortekë të shtunën e duke sjellë temperatura të ulëta.
Temperaturat minimale gjatë natës mund të bien në minus në disa zona, ndërsa qendra e qytetit San Francisko mund të ballafaqohet me acar rekord të shtunën në mëngjes, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit. Sipas këtij shërbimi, temperatura e parashikuar prej 3 gradësh do të ishte më e ulëta në qytet që nga viti 2009.
Autoritetet lëshuan paralajmërime për vërshime nga e premtja deri në orët e para të së shtunës në Los Angeles dhe në distriktet e Ventura-s, rajon me rreth gjashtë milionë banorë. Shërbimi i motit tha se vërshimet ishin duke ndodhur të premten vonë në distriktin Ventura, ku ka pasur reshje shiu deri në 18 centimetra dhe është e mundshme që të ketë reshje deri në 25,4 centimetra para se stuhia të zbutet të shtunën pasdite, raporton agjencia “Associated Press”.
Në distriktin e Los Angelesit, parashikuesit thanë se vërshimet me rrezik për jetë janë të mundshme afër përrenjve, zonave urbane, autostradave dhe zonave që janë djegur nga zjarret në natyre. Në zonën e rrezikuar përfshihen edhe qendra e Los Angelesit, Hollivudi, Beverly Hills-i dhe shumë pjesë periferike.
Në lindje, njerëzit po ballafaqohen me vështirësi nga reshjet e mëhershme të kësaj jave. Më shumë se gjysmë milioni njerëz në Michigan ishin ende pa rrymë të premten në mbrëmje, disa ditë pas njërës prej stuhive më të rënda të breshërit në dekadat e fundit, e cila shkaktoi ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike.
Në Kaliforni, Qendra për Parashikimin e Motit, pjesë e Shërbimit Kombëtar të Motit, parashikoi reshje të dendura të borës në Malet Cascade dhe në Sierra Nevada në fundjavë.
Megjithatë, moti i ftohtë në veri e në perëndim nuk i ka përfshirë edhe shtetet jugore, duke shkaktuar dallim të madh të temperaturave në pjesë të ndryshme të ShBA-së. Temperatura më e lartë të premten ishte 34 gradë në Teksas, ndërsa më e ulëta 1,7 gradë në Montana.