“Kakofoni kombëtare”: Kundërthëniet e Osmanit dhe Gërvallës për Asociacionin nxisin huti
Pushteti po kërkon përkrahjen e opozitës për dialogun me Serbinë, por as Presidenca dhe Qeveria nuk janë aq unike për këtë çështje.
Qëndrimet e fundit të presidentes Vjosa Osmani dhe ministres se Punëve të Jashtme, Donika Gërvall, rreth Asociacionit kanë nxitur huti në vend.
Derisa e para e vendit ka thënë se Kosova duhet ta harton një statut për Asociacionin në koordinim me SHBA-të, kryediplomatja ka thënë se kjo çështje ka vdekur.
Këto qëndrime kanë nxitur kritika nga partitë opozitare. Përfaqësuesit e këtyre partive kanë thënë se institucionet duhet të përqendrohem mirë për këtë çështje.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se kjo është kakofoni kombëtare.
“Kakofoni kombëtare. Presidentja dhe zv.kryeministresha dhe ministresha e jashtme me deklarata që bien ndesh njëra me tjetrën”, ka shkruar Hamiti.
Edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka komentuar qëndrimet e ndryshme për Asociacionit të presidentes Vjosa Osmani dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Ajo ka vlerësuar se asnjëra nuk kanë kompetencë ligjore e kushtetues për të folur rreth kësaj çështje.
“Foli Vjosa e Donika për Asociacionin, të dyja me qëndrime të kundërta, por asnjëra nuk ka kompetencë kushtetuese dhe ligjore! Rendësi ka se me cilën pajtohet Albini!”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Për këto qëndrime dalluese dy zyrtaret e larta i ka kritikuar edhe analisti Ilir Mirena.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka përmendur faktin se Osmani dhe Gërvalla ka qenë të së njëjtës parti politike.
“Oj motra, a po koncentrohni pak? Po lypni unitet prej opozitës, e n’Listën Guxo 7 veta jeni e s’po mund koordinoheni çka me fol!”, ka shkruar Mirena
Qëndrimi i Osmanit dhe Gërvallës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën ka kërkuar që autoritetet e Kosovës të ulen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të hartojnë një draft për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe.
Në një intervistë për RTK-në, ajo ka thënë se ky propozim duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Nga fillimi kam thënë që nuk shoh sukses pa involvimin direkt të Amerikës në këtë proces, dhe këtë e dëshmon historia. Në secilin proces në krejt Ballkanin, veçanti në Kosovë, nëse Amerika nuk e merr rolin udhëheqës, atëherë është problem të kemi sukses në të ardhmen. Për të bërë një kthesë të rëndësishme në ditët dhe muajt në vijim, duhet të ulemi me Amerikën që propozimin tonë në përputhje me ato parime ta prezantojmë para liderëve të Amerikës, dhe natyrisht të merremi vesh me ta se cilët do të jenë hapat tutje. Nuk besoj që e pranon Serbia propozimin që është në përputhje me Kushtetutën, por nuk mund të shkojmë përtej kësaj”, ka thënë Osmani.
Një ditë më pas, mendim krejt tjetër për këtë çështja ka dhënë ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
Në një intervistë në Top Channel, Gërvallla ka deklaruar se pas ngjarjeve të së dielës në Banjskë të Zveçanit Asociacioni ka vdekur.
“Të them të drejtën pas të dielës çdo bisedë për Asociacionin më duket e tepërt se pas te dielës nuk kanë kuptim. Asociacioni ka vdekur për ne dhe ndërkombëtarët. Të koordinojmë punën e komunave në veri të Kosovës është dallim tjetër. Janë katër parime të mos shkelë sovranitetin, Kushtetutën, të mos dëmtojë dhe të jenë koordinues. Asociacioni i 2013 është kundër kushtetutës së Kosovës dhe nuk mund të bëhet. Escobar shumë qartë e ka përcaktuar se nuk mund të ketë Asociacion pasi mund të jetë një republikë e dytë serbe”, ka thënë Gërvalla.
Ajo është shprehur kritike me procesin e dialogut, duke thënë se ky proces nuk e çon askund Kosovën.
“Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që shkelja e Kushtetutës të mos jetë pjesë e marrëveshjes që kemi pranuar në Bruksel. Nuk ndodhi sepse Serbia e ka pasur të qartë që nuk është e gatshme e që i mungon gatishmëria e plotë. E dallojmë BE-në nga SHBA sepse SHBA ka qenë më pragmatike në të kuptuarit të realitetit të vendit tonë dhe të Ballkanit. Çdo përpjekje e jona për të sjellë energji dhe rezultate në proces, në fund ju e shihni që jemi pala e vetme që kërkon implementimin e marrëveshjes në Bruksel. Ky dialog nuk çon askund është qorrsokak”, është shprehur Gërvalla.