Jovanoviq: Propozimi franko-gjerman për Kosovën është shansi i fundit për Serbinë
Kryetari i Partisë Liberal Demokratike në Serbi, Çedomir Jovanoviq, ka thënë se propozimi franko-gjerman për Kosovën, i cili zyrtarisht i është ofruar Serbisë, është shansi i fundit për t'i dhënë fund përfundimisht problemit të Kosovës.
"Koha që kaluam duke refuzuar propozimet e mëparshme e bëri këtë shoqëri më të pakënaqur në Evropë, kështu që sot po mbytemi në nacionalizëm që na ka shkatërruar ne dhe të gjithë rreth nesh. Çdo zgjidhje e ardhshme do të jetë më pak e favorshme për Serbinë, veçanërisht në një periudhë kur Evropa do të të jetë e preokupuar me problemet e saj, pa shumë dëshirë të merret me Ballkanin dhe fatkeqësinë tonë”, - raportohet të ketë thënë Jovanoviq.
Sipas Kosovo Online, media serbe N1 ka raportuar se, në njoftimin e kësaj partie thuhej se politika për të cilën ajo ka folur që nga themelimi i saj po bëhet e vetmja realiste në këtë kohë.
“Sot askush nuk duhet të tërhiqet para sulmit të më të këqijve në Serbi, të cilët tashmë po grupohen për të na bërë të ditur edhe një herë se Beogradi nuk do ta japë më Kosovën dhe se kushdo që përpiqet të bëjë diçka normale dhe të arsyeshme është tradhtar," – ka thënë ai.
Bëhet e ditur se ai më tej ka shtuar se, “kjo është çështje e mbijetesës apo e margjinalizimit të Serbisë, që është një vend në zhdukje si pa Kosovën ashtu edhe me Kosovën”.
