Joseph: Vështirë të flitet rreth krijimit të Asociacionit duke parë incidentet serioze në veri
Profesori i politikave të jashtme në Universitetin Johns Hopkins, Edward Joseph, ka thënë gjatë një interviste për TëVë1 se marrëveshja më e fundit e arritur mes Kosovës dhe Serbisë duhet të regjistrohet në Kombet e Bashkuara.
Joseph ka përmendur se procesi është i vështirë dhe se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë negativ ndaj marrëveshjes së fundit të arritur në Ohër, duke refuzuar të respektojë disa pika të saj, megjithëse dokumenti qartëson se të gjitha marrëveshjet duhet të respektohen pa përjashtim.
Ai ka vënë në dukje se për të siguruar suksesin e këtij dialogu, duhet të ketë sinjale të forta nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian se janë të vërtetë serioz si ndërmjetësues në këtë proces.
“Është një proces me të vërtet i vështirë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë krejtësisht negativ sa i përket marrëveshjes së fundit të arritur në Ohër, duke thënë se ka disa pika të marrëveshjes që nuk do t’i respektojë edhe pse në dokument shkruan qartë se të gjitha marrëveshjet duhet të respektohen pa përjashtim. Mënyra e vetme që ky dialog të ketë sukses për të dyja vendet është nëse ato pranojnë sinjale te forta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian se janë më të vërtet serioz si ndërmjetësues në këtë proces. Unë sugjeroj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta inkurajojnë Bashkimin Evropian ta regjistroj këtë marrëveshje në Kombet e Bashkuara, kjo do të nënkuptonte një status më të fortë juridik.” – ka deklaruar Joseph.
Profesori i politikave të jashtme ka sugjeruar që Shtetet e Bashkuara të inkurajojnë Bashkimin Evropian të regjistrojë këtë marrëveshje në Kombet e Bashkuara, duke e quajtur një hap që do të ndihmonte në krijimin e një statusi më të fortë juridik për marrëveshjen.
Në vazhdim, Joseph ka vënë në dukje se situata në veri të Kosovës është e ndjeshme dhe se është e vështirë të flitet për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe pa qetësuar plotësisht situatën në terren. Ai ka përmendur incidente serioze në veri të Kosovës dhe largimin e serbëve nga institucionet, duke e bërë të vështirë diskutimin për krijimin e Asociacionit.
“Momentalisht nuk është një atmosferë e mirë në veriun e Kosovës, kemi parë disa incidente serioze dhe serbët janë larguar nga institucionet. Pra në këto rrethana është e vështirë për të folur rreth krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Është një çështje shume problematike sepse nënkupton një formë autonomie apo quajeni një formë e vetë-menaxhimit për komunitetin serb. Normalisht që kjo duhet të vinte në fund të negociatave ku Kosova do ta fitonte njohjen nga Serbia dhe si këmbim do ta pranonte Asociacionin, por siç po e shohim realiteti është më ndryshe. Asociacioni është një obligim që e ka pranuar Kosova dhe duhet të jetë në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës.” - ka thënë ai.