“Jo pazare politike me RTK-në": Pa paga, punëtorët e televizionit publik protestojnë ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit - NACIONALE

“Jo pazare politike me RTK-në": Pa paga, punëtorët e televizionit publik protestojnë ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Është mbajtur protestë ndërmjet ndërtesave të Kuvendit dhe asaj të Qeverisë së Kosovës, e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK).

Punëtorët e RTK-së protestuan për shkak të mos alokimit të buxhetit gjashtë mujor, që i la ata pa paga. Rreth 700 punëtorë të mediumit të vetëm publik të Kosovës, kanë mbetur pa paga, si pasojë e kryeneqësisë së qeverisë në detyrë, e cila po heziton ta ndjek një shembull paraprak të vitit 2021, për t’a mundësuar ekzekutimin e pagave për punëtorët e RTK-së.

Gjatë protestës u tha se qëllimi i vetëm është mbrojtja e RTK-së, dinjiteti i punëtorëve dhe sigurimi i pagave të merituara.

Gëzim Bimbashi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, kërkoi që menjëherë të alokohet buxheti për institucionin e vetëm publik. Ai theksoi se mbi 700 familje ndodhen në një gjendje të rëndë ekonomike. Sipas tij, protesta nuk ka karakter politik.

Bimbashi gjithashtu kërkoi rritjen e buxhetit për vitin e ardhshëm, si dhe sigurimin e pagave.

Ndërsa Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së, tha se kjo krizë në RTK ka qenë e shmangshme.

Ai kërkoi që buxheti për RTK-në të alokohet menjëherë për gjashtëmujorin e dytë të vitit. Sipas tij, RTK ka një rol të rëndësishëm në skenën mediale të Kosovës.

Pjesë e protestës, siç pritej nuk ishte Drejtori i televizionit, ish-anëtari me librezë partie, Rilind Gërvalla, i cili kohë pas kohe, dërdëlitë me statuse në Facebook, për dinjitetin, moralit, etikën. Normalisht as shoku i tij, besniku i llajkut të statuseve dërdëlitëse, U.D. Kryeredaktori i Lajmeve Qendrore, përfituesi i mbi 200 mijë eurove nga qeveria aktuale, Blerim Haxhiaj, nuk ishte pjesë e protestës.

Lajme të ngjashme