Jo negociata: Kurtit i kërkohet të mos dialogojë me Serbinë pas sulmit terrorist - NACIONALE

Jo negociata: Kurtit i kërkohet të mos dialogojë me Serbinë pas sulmit terrorist

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tashmë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka bërë publike kërkesën e rikthimit të Kosovës dhe Serbisë në dialogun në Bruksel. Të gjitha këto ftesa janë me synim të shtensionimit të situatës pas sulmit terrorist në veri nga grupi i armatosur serb. Por edhe zërat për refuzim të dialogut nga Kosova janë shtuar.

Në fakt, një ish-kryenegociatore e Kosovës është në këtë linjë të mendimit. Edita Tahiri, ish-kryenegociatore e Kosovës në dialogun teknik, e ka hedhur në publik idenë se kryeministri Albin Kurti duhet të refuzojë takimet në kuadër të dialogut. Që në mëngjesin e sotëm, zonja Tahiri vlerësoi se pa u ndëshkuar Serbia, Kosova nuk duhet të marrë pjesë në dialog.

“Pa u ndëshkuar Serbia, Kosova nuk duhet të shkoj në dialog - është njësoj sikur 'Ti me bisht e unë pa djale' thënie e vjetër e jona e fuqishme!” – shkroi ajo sot në mëngjes.

Ndërsa dje zonja Tahiri shkroi se Josep Borrell, shef i diplomacisë së BE-së, dhe Miroslav Lajçak, emisar special i BE-së për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të japin dorëheqje.

“Borell dhe Lajçak në çfarë planeti janë, duhet të japin dorëheqje pas sulmit hegjemon të Serbisë ndaj Kosovës. Tash BE-ja duhet ta suspendojë Serbinë e terroristëve nga integrimi evropian; të shkarkoj dy ndërmjetësuesit. Kosovën e ndëshkuan kur bëri gabime, tash pa ndëshkuar Serbinë thirrjet për vazhdimin e dialogut nuk kanë asnjë kuptim.” – shkroi Tahiri.

Ndërsa analisti Vehbi Kajtazi deklaroi se kryeministri Albin Kurti duhet ta kushtëzojë dialogun me dorëzimin e Milan Radojiçiqit, njeriu që udhëhoqi sulmin terrorist ndaj Kosovës në veri.

“Kurti nuk duhet të negociojë me Serbinë pa e dorëzuar Milan Radojiçiqin në Kosovë dhe pa i dorëzuar terroristët tjerë, ky duhet të jetë kushti i parë. Pa ndodhë kjo, nuk mund të ketë dialog me dikë që të ka sulmuar me armë. Për çka mund të dialogosh me të. Pa ndodhur kjo, nuk duhet të ketë negociata sepse kemi me hy në bisedime në kushtet e një organizate.” – deklaroi Kajtazi në Rubikon.

Që në ditën e sulmit, pra më 24 shtator, Jusuf Thaçi, analist në T7, deklaroi se dialogu në Bruksel duhet të marrë fund.

“Mashtrimi mbi njëdekadësh se i ashtu-quajturi dialog mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE do të na shpie në zgjidhje finale të problemit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të marrë fund sonte (ngjarja e sotme tregoi që edhe ashtu jemi vonuar tepër tashmë).” – shkroi z. Thaçi.

Rikonfigurim tw dialogut ka kwrkuar edhe analisti dhe aktivisti i VV-sw, Sadri Ramabaja.

“Duhet rikonfigurim i plotë i dialogut. Kjo nënkupton se angazhimi i plotë i diplomacisë perëndimore duhet të marrë në konsideratë ndëshkimin e rreptë të Serbisë dhe të procedojë shpejt anëtarësimin e Kosovës në NATO duke krijuar siguri të plotë të ardhmes së rajonit. Përndryshe me dialogun siç është vepruar deri më sot është të sillemi sipas rrethit vicioz.” – theksoi Ramabaja.

Ndryshe dje Derek Chollet, zëvendës sekretar amerikan i Mbrojtjes, bisedoi në telefon me kryeministrin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Mesazhi i tij ka qenë që palët t’i kthehen dialogut.

Fola me kryeministrin @albinkurti për sulmin e tmerrshëm të së dielës në Kosovë. Dënoj ashpër dhunën kundër Policisë së Kosovës; shpreh ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të zbatojnë angazhimet e Ohrit.” – ka shkruar ai.


Lajme të ngjashme