“Jo, jo”: Kandidatja për komisionare të Zgjerimit përgjigjet në seancë dëgjimore për shkëmbimin e territoreve
Marta Kos, kandidatja për komisionare të Zgjerimit e Bashkimit Evropian, ka thënë se nuk do t’i ndiqte tendencat për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë seancës dëgjimore të enjten në Parlamentin Evropian, ajo u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në komisionin e politikës së jashtme.
Nga një deputet që i bëri asaj pyetjen, u tha se idetë për shkëmbimin e territoreve mund të kthehen përsëri në tryezë, pas zgjedhjes së Donald Trump president i ShBA-së.
“Sa i përket shkëmbimit të territorit, jo. Jo. Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t'i ndjekim këto tendenca.” – citohet se ka thënë ajo, sipas “REL”.
Kos shprehu gatishmëri për të punuar me Kaja Kallasin sa i përket rajonit.
“Dialogu formalisht është në duart e Kaja Kallasit. Unë do të punoj sigurisht me të. Pasi e njoh këtë rajon dhe mentalitetin, dua të bashkëpunoj në këtë fushë. Të lëvizim përpara. Është bërë shumë formalisht deri me tani.” – u shpreh ajo.