JAVA: Ngjarjet më të rëndësishme të këtyre shtatë ditëve që s’bën t’i humbisni
Sot shënojmë fundin e kësaj jave, dhe po i lejojmë vetes pak më shumë liri në përgatitjen e këtij artikulli. Çka ndodhi dhe çka duhej të ndodhte me Kosovën?
“Mos pyet se çka bën Albin Kurti për ty, por pyet se çka bën ti për Albin Kurtin?” – besohet të ketë thënë presidenti i 35 amerikan, John F. Kennedy në fjalimin e tij inaugurues më 20 janar të vitit 1961.
Kjo pyetje u harrua krejtësisht nga Rrahman Jasharaj dhe mësimdhënësit e tjerë që guxuan të shtronin pyetjen se çka po bënte Albin Kurti – kryeministër – për ta?
P R O T E S T Ë
Jasharaj dukej si një rok-yll në protestën që e thirri për Ligjin e Pagave pardje, më 20 maj, ose 61 vjet pas fjalimit inaugurues të presidentit të ndjerë Kennedy. Atij i kërkonin fotografi protestues e qytetarë, dhe ai s’i prishte qejfin askujt. Por, as atij s’ia prishën ‘qejfin’ një numër i madh mësimdhënësish që u derdhën në sheshin Nënë Tereza dhe ecën bashkërisht deri te objekti i Qeverisë së Kosovës.

Nuk dihet numri i saktë i protestuesve, por fotografia e shkrepur nga Valdrin Xhemaj i Nacionales bëri xhiron e rrjeteve sociale në Internet. Ishin shumë, ishin tepër shumë, aq shumë sa deputeti Ardian Gola i pushtetit do të thoshte se nuk ishte mirë që Qeveria po vihej në presion.

“Nuk janë pamje të mira,” – ishte shprehur Gola duke i shënuar vetes autogol.
Qeveria e Kosovës, më saktë Xhelal Sveçla, kishte premtuar se do ta dorëzonte Ligjin e Pagave në Kuvend qysh në muajin mars. Ju kujtojmë se muaji mars është tashmë gati dy muaj larg në të shkuarën.

S F I L A T Ë
200 mijë qytetarë mund të kenë ikur nga Kosova përgjatë prej fillimit të këtij viti e deri në muajin prill, por kjo nuk po i bën përshtypje të madhe presidentes Vjosa Osmani siç i bënte dikur kur nuk ishte presidente.
Ajo madje deklaronte dikur se “nga një qytezë e vogël po i zhduket vendit”. Dikush mund të thotë sot se, një kryeqytet po i zhduket vendit për çdo katër muaj, por ai dikush nuk do të dëgjohet.
E Osmani ishte pjesë e një sfilate interesante të organizuar nga qytetari Valdrin Sahiti. Ajo i fenirati flokët pas 12 vitesh (siç u shpreh) dhe u ul mes njerëzve elitarë në eventin ku nuk kishte njerëz të varfër, njerëz për të cilët ajo avokonte dikur.

Përveç sfilatës, Osmani gjatë kësaj jave bëri bujë edhe në mediet turke për heqjen e kilogramëve të tepërt përmes zvogëlimit të lukthit të saj. Ky operacion u tha se mund të bëhej madje edhe pa pagesë në Kosovë. Në anën tjetër, politikanë nga opozita vunë në pikëpyetje seriozitetin e këtij aranzhimi duke u habitur se si mund të bëhej një operacion, me anestezion, nga një mjek turk që as nuk dihej kush ishte.
Vjosa Osmani, megjithatë, duket të jetë ndër të paktët qytetarë që nuk pyet se çka bën Albin Kurti për të, por pyet pareshtur se çka bën ajo për Albin Kurtin.
K U R T I në A M E R I K Ë
E, derisa njerëzit në Kosovë i shtrojnë vetes pyetjen se çka tjetër mund të bëjnë për Albin Kurtin, ky i fundit vazhdon vizitat në Amerikë.
Ai u takua edhe me Këshilltarin e Presidentit Biden për Siguri Kombëtare, z. Jack Sullivan. Kryeministri ishte kritikuar për ‘agjendë të zbehtë’ takimesh në ShBA, por kritikat vazhduan edhe pas takimit me këshilltarin e lartpërmendur.
Dyshja kishte bërë një fotografi ‘te shkallët’, gjë që ngriti pikëpyetje për vendin ku kishte ndodhur takimi, e me këtë edhe për rëndësinë e tij.

Mediat pro-qeveritare kishin rritur shpresën për një takim të një niveli të lartë të kryeministrit Kurti gjatë kësaj vizite. Ishte përmendur madje, edhe një emër konkret. Bëhej fjalë për zv. Presidenten Kamala Harris, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi.
D Ë N I M E nga S P E C I A L J A
Po gjatë kësaj jave, Gjykata Speciale dënoi dy ish përfaqësuesit e veteranëve të luftës me nga katër vjet burg për pengim të drejtësisë dhe frikësim të dëshmitarëve.
Kjo ngriti një protestë të ashpër në vendin tonë nga aktivistë të rrjeteve sociale që e quajtën Specialen si të padrejtë, e kështu me radhë.
Në pikëpyetje u vu edhe avokati Tomë Gashi nga ish këshilltari i Kurtit, Durim Berisha, për profesionalizmin e tij. Gashi ishte avokat në Kosovë i dyshes së lartpërmendur.

P R E S I D E N T I i Ç A K O RR I T
Po gjatë kësaj jave, presidenti i Malit të Zi bëri vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. Bëhet fjalë për Milo Gjukanoviqin.
Ai u takua – mes tjerësh – me presidenten Osmani e kryekuvendarin Konjufca dhe u pyet, siç mund ta marrim me mend, edhe për çështjen e Çakorrit. Pra, për çështjen e demarkacionit. A mund të korrigjohej? Gjukanoviq u shpreh se kjo iu takonte komisioneve përkatëse. Për fat të keq, për fat të zi ndoshta, kryetari i komisionit kosovar për korrigjim, Shpejtim Bulliqi, aktualisht është i zënë me punë si kryetar i komunës së Podujevës.

Po gjatë kësaj jave, kemi parë dështimin e ZRrE-së në Gjykatën e Apelit për vendosjen e masës së përkohshme, gjë e cila efektivisht i jep të drejtë opozitarëve për çështjen e nxehtë të shtrenjtimit të rrymës.
Po ashtu, gjatë kësaj jave pamë edhe dënimin e deputetes së VV-së, znj. Jetmire Vrenezi, në lidhje me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.