Cilat ishin ngjarjet që e karakterizuan këtë javë? - NACIONALE

Cilat ishin ngjarjet që e karakterizuan këtë javë?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Javën që po e lëmë pas në vend kanë ndodhur vizita, vendime e edhe disa lajme jo të mira për Kosovën, siç ishte tema me liberalizimin e vizave.

Java filloi me vizitën e kryeminsitrit të Shqipërisë në Kosovë, Edi Rama, vizitë kjo e cila u karakterizua për një ndejë anti-Kurti në Gërmi, me kritikë të kryeministrit.

Pastaj vazhdoi tutje lajmin për mbajtjen e festivalit “Sunny Hill” në Kosovë, arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për energjinë elektrike, mbledhjen e dy qeverive, mosliberalizimin e vizave, mosvotimin e nismës për tërheqjen e 30 % të trustit.

Marrëveshja Kosovë- Serbi: Kompania serbe që do të mbledh faturat e serbëve në Veri

Delegacioni serb dhe ai kosovar kanë arritur marrëveshje për sektorin e Energjisë, bazuar në dy marrëveshjet e arritura në vitin 2013 dhe 2015. Kjo është titulluar si “udhërrëfyes” për zbatimin e marrëveshjeve në fjalë.

Ky udhërrëfyes ka gjithsej nëntë pika e në të cilën përfshihet operatori i energjisë nga Serbia, Elektroserver, e i cili do të ofrojë shërbime të distribuimit, mbledhjes, mirëmbajtjes dhe lidhjes fizike të konsumatorëve të rinj për katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Nga kjo marrëveshje u kuptua se kompania që do të bëjë faturimin e rrymës në komunat veriore, është nga Serbia dhe jo kompani private serbe ashtu siç po theksohet nga Qeveria e Kosovës.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës [ARBK], kompania “JP Elektroprivreda Srbije Beograd” është pronare e operatorit Elektrosever. Kjo e fundit do të faturojë rrymën në veri, dhe aksionare kryesore del të jetë hiç më pak se Republika e Serbisë.

23 qershori, data dëshpëruese për mosliberalizimin e vizave

Dita e parë e Samitit të Bashkimit Evropian ishte zhgënjyese për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Lajm i mirë nuk erdhi as për Kosovën, të cilës nuk iu dha liberalizimi i vizave. Për këtë çështje foli Franca, vend i cili njihet si ndër skeptikët për liberalizmin e vizave për kosovarët. Ata deklaruan se ende ka kushte për t’u përmbushur për ta mirituar lëvizjen e lirë në BE.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, shteti francez ripërsëriti qëndrimin e saj, duke nënkuptuar se nuk e ka ndërmend të lëshojë pe për liberalizim të vizave.

Në përgjigjen dhënë për Nacionale, francezët këmbëngulin se gjithçka që ka të bëjë me liberalizimin e vizave është pjesë e udhërrëfyesit të miratuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2012.

“Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo çështje është pjesë e udhërrëfyesit të miratuar nga Bashkimi Evropian, i cili përfshin një sërë kushtesh që duhet të përmbushen efektivisht në planin afatgjatë”, kishte thënë MPJ franceze për Nacionale.

Vizita anti-Kurti e Ramës dhe mbledhja e dy qeverive

Që kur kryeministri Rama e filloi vizitën në Kosovë, gazeta jonë kishte raportuar për një fjali “bombë” e cila kishte dalë nga goja e kryeministrit.

Rama në një prej takimeve të mbajtura në Ohër, kishte deklaruar se “Deri në shtator do ta rrëzoj Albin Kurtin nga pushteti”.

Por kjo nuk mbaroi me kaq, pasi kryeministri e zhvilloi edhe një darkë me njerëz kritik ndaj pushtetit.

Kjo ndejë joformale ishte mbajtur në Soma të Gërmisë.

Ndërsa me pritje shtetërore, Rama u prit nga kryeministri Kurti dhe kabineti i tij, ku edhe u mbajtë mbledhja dy qeverive, Kosovë- Shqipëri.

Në këtë mbledhje u arritën një sërë marrëveshje bashkëpunimi në fushën administrative, arsimore, energjetike, infrastrukturore e të tjera.

“Sunny Hilli” në Kosovë

Pas një debati mjaft të ashpër në opinionin publik për neglizhencën e qeverisë dhe ministrive përkatëse për procedurat e mëtutjeshme të mbajtjes së këtij festivali, i njejti është rikthyer përsëri në vendlindjen e këngëtarës Dua Lipa, në Prishtinë.

Rrëzimi i projektligjit për tërheqjen e Trustit

Tema thuajse më e përfolur muajve të fundit, ka qenë trusti. Kjo pasi që qytetarët po kërkojnë vazhdimisht tërheqjen e 30 % të tij. Por, këtë gjë në kuvend e pamundësoi lëvizja në pushtet, Vetëvendosje. Pasi e njejta e rrëzoi projektligjin për tërheqjen e këtyre mjeteve.

Lajme të ngjashme