Java: Kryeparlamentari i ri, "shpallja" e konstituimit, dorëheqja e Liburnit dhe punimi anti-UÇK - NACIONALE

Java: Kryeparlamentari i ri, "shpallja" e konstituimit, dorëheqja e Liburnit dhe punimi anti-UÇK

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Kuvendi më në fund merr frymë, pak

Pas gjashtë muajsh bllokadë dhe mbi 50 seanca të dështuara, më 26 gusht Dimal Basha mori timonin e Kuvendit me 73 vota. Fjalimi i tij u përpoq të tingëllonte solemn: “Parlamenti është zemra e demokracisë”. Por që nuk shkoi shumë, e i pari i Kuvendit, menjëherë në të njejtën javë që u zgjodh në fakt, bëri atë që para tij se kishte bërë askush, dhe kjo mu në zemër të demokracisë.

Ai e shpalli Kuvendin të konstituuar, anipse Kuvendi nuk e zgjodhi askënd nënkryetar nga komuniteti serb.

Madje Basha, thirri mbledhje të kryesisë për të hënën që vjen, ftesë që u refuzua nga LDK e PDK.

Liburn Aliu, dorëheqja

Një ditë pasi u zgjodh Basha Kryeparlamentar, ministri Liburn Aliu hodhi “bombën”: dorëheqje. Arsyeja? Zgjedhja e kryeparlamentarit nuk përputhej me idealet që ai thotë se e sollën në politikë. Për një figurë themeluese të Vetëvendosjes, ky ishte një sinjal serioz se uniteti brenda partisë është më i brishtë se kurrë. Në vend të tij, Albin Kurti nxitoi ta emërojë Hysen Durmishin. Kurti edhe kur u pyet për Aliun, tha se “pa humbur kohë emërova Durmishin në vend të tij”.

Punimi që ndezi UÇK-në

Por javës nuk i mungoi as skandali akademik. Një punim i vitit 2012, ku figuron emri i Dimal Bashës, shpërtheu si temë. Në të përmendet se UÇK-ja ishte financuar edhe nga trafikantë dhe përbëhej nga “banditë patriotikë”. Reagimi ishte i ashpër: veteranët e UÇK-së kërkuan dorëheqjen e tij, ndërsa në rrjet u ndezën debatet. Basha u mbrojt duke thënë se nuk ka shkruar asnjë fjali kundër UÇK-së dhe se “luftën e ka të shenjtë”. Kryeparlamentarin e mbrojti edhe Kurti duke shtuar se artikulli ishte shkruar para më shumë se një dekade.

Lajme të ngjashme