Java e takimeve të pa paralajmëruara: Kurti- Jasharaj, Rama e Lajçak - NACIONALE

Java e takimeve të pa paralajmëruara: Kurti- Jasharaj, Rama e Lajçak

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Java që po e lëmë pas, filloi me takimin, i cili ka muaj që po pritej nga sindikatat për të gjetur një dialog me qeverinë, rreth kërkesave të tyre.

Pas sa e sa thirrjeve nga ta, erdhi edhe ftesa e të parit të qeverisë, kryeministrit Kurti, që do t’i pres në takim nga ora 08:00 të marten, Këshillin Grevist.

Ani pse shpresat ishin se takimi do të nxjerrte të paktën ndonjë “mini” marrëveshje, një gjë e tillë as edhe që ndodhi.

Jasharaj pas takimit, u deklarua se nuk kishin arritur ndonjë marrëveshje, por e mira sipas tij ishte se dialogu ka nisur.

Sapo dolëm nga një takim shumë kohë i pritur me kryeministrin Kurti, ministren Nagavci dhe ministrin e Financave, Murati. Takimi ishte goxha i gjatë. Të dyja palët i kanë thënë gjërat e veta. Ua rikujtuam gjërat tona ligjitime e kërkesat. Ata na treguan për angazhimet. Takimi ishte përmbajtësor, por për momentin nuk kemi ndryshime. Qeveria qëndron në deklaratat lidhur me pakon. Ne qëndrojmë me kërkesat tona, që të ndikojmë pozitivisht në ligjin e pagave. Ne insistuam që shuma e përmendur, që nuk është pranuar nga askush, të lëvizë. Ishim të gatshëm të bëjmë ndonjë kopromis, por qeveia mbeti te shuma e proklamuar e pakos. Por e mira në këtë situatë është që filloi dialogu”, tha Jasharaj pas takimit

E pas këtij takimi edhe kryeministri Kurti, doli në një konferencë për media, bashkë me dy ministrat e tij. Atë të Financave dhe Arsimit.

Kurti ishte goxha i ashpër në fjalët e thëna, në këtë konferencë. Ai tha se s’është në pyetje arsimi, por se çka është në pyetje e merrni vesh javët e ardhshme.

“Me të gjitha këto masa të qeverisë sindikata do të duhej të kishte festë jo grevë. Por do ta shohim se çka del më vonë. Nuk është në pyetje arsimi e as arsimtarët”, theksoi ai.

Dy takimet e paparalajmëruar, Kurti- Rama, Kurti- Lajçak

Dy takime hiç të pritura e të paparaljmëruara, i zhvilloi Kurti të martën e të enjten.

Kurti gjatë konferencës që po e mbante pas takimit me kreun e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj të marten, tha se “e kam një takim urgjent, andaj më duhet të shkojë”.

E ky takim doli të jetë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Pas takimit, u tha se diskutimet kyçe ishin: Projektet në infrastrukturë dhe kriza energjetike.

“Në fokus të takimit kanë qenë disa projekte të përbashkëta që tani duket se po i konkretizojnë edhe me veprime konkrete, siç është Porti i Durrësit, i cili do të integrohet me hekurudhën Durrës- Prishtinë. Edhe kriza energjetike duket se ka marrë një pjesë të rëndësishme të takimit. Ashtu siç është paralajmëruar se do të jetë një dimër i vështirë në krizën me të cilën po përballen shumë shtete të Evropës”.

Ndërsa të enjten Kurti, zhvilloi një takim të paparalajmëruar me emisarin e BE-së, për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak.

E pas këtij takimi, Lajçak tha vazhdoi bisedën e javës së kaluar. Ndërsa zyra e Kryeministrit tha se u bisedua për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel, dhe për përgatitjet e takimeve të radhës.

“Sot në Prishtinë kam vazhduar bisedën e javës së kaluar me Kryeministrin Albin Kurti për rrugën përpara në normalizim të marrëdhënieve me Serbinë. Shfrytëzova rastin të diskutojë për çështje aktuale me Zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimin, në veçanti për lirinë e lëvizjes dhe energjinë”, ka thënë Lajçak.

“U bisedua për vazhdimin e procesit të bisedimeve në Bruksel dhe për përgatitjet e takimeve të radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, falënderuan z. Lajčák për angazhimin e tij të vazhdueshëm në këtë process”, u tha nga zyra e Kryeministrit.

Blloku A3 ndalon prodhimin

Njësia A3 e Termocentralit Kosova A po përballet me probleme teknike, kësisoj të premtën, pas mesnatës u nxorr nga funksioni edhe blloku A3 i Termocentralit “Kosova A”.

Një gjë të tillë e kishte bërë të ditur Korporata Energjetike e Kosovës, e cila njoftoi se njësia A-3 është në punë por planifikohet për ndalje 4-5 ditore.

"Korporata Energjetike e Kosovës njofton se njësia A-3 është në punë por planifikohet për ndalje 4-5 ditore. Lidhur me këtë, KEK ka ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për mbulimin e mungesave të planifikuara, kështu që nuk pritet të ketë reduktime të energjisë elektrike"
- thuhej në njoftim.

Lajme të ngjashme