Java e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit dhe deklarimet për këtë sulm - NACIONALE

Java e shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit dhe deklarimet për këtë sulm

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shpërthimi në kanalin e kryesor të Ibër-Lepencit në afërsi të fshatit Vragë të Zubin Potokut ishte tema kryesore e javës që po e lëmë pas. Kjo ngjarje ka nxitur reagime të mëdha si në vend ashtu edhe nga ndërkombëtarët. Çka ndodhi?

Të premtën mbrëma rreth orës 19:00 në afëri të fshatit Vragë është minuar kanali i ujit i Ibër-Lepencit, prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë si dhe KEK-u për ftohjen e termoelektranave dhe prodhimin e energjisë elektrike.

Institucionet e Kosovës kanë vlerësuar se indikacionet e para flasin se sulmi ka ardhur nga Serbia.

Një vlerësim të tillë e ka pasur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se sulmi është terrorist i mbështetur nga fqinji verior i Kosovës.

“Pra një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit është dëmtuar nga një shpërthim i detonuar. Policia jonë tashmë është në vend të ngjarjes dhe në krye të detyrës. Furnizimi me ujë të pijes është ndërprerë përkohësisht, sipas edhe lajmërimeve e njoftimeve nga KRU Mitrovica. Ky është sulm kriminal dhe terrorist i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase edhe më të rëndësishmen që e kemi dhe padyshim që ishte tentativë e rrezikimit të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në vendin tonë”, ka thënë ai në konferencë për media të mbajtur në mesnatë.

Kurti ishte edhe në vendin e ngjarjes ku pa nga afër dëmet që janë shkaktuar, ndërkohë që deklaroi se po punohet për garantuar siguri dhe furnizim me rrymë e ujë.

"Institucionet dhe ndërmarrjet publike të Republikës së Kosovës janë duke punuar me dedikim për të garantuar siguri të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët" – ka shkruar Kurti.

Ky sulm u dënua nga të gjithë në vend si dhe nga ndërkomëbtarët.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka thënë se ShBA-të dënojnë fuqishëm këtë sulm dhe se kanë ofruar mbështetjen ndaj Qeverisë së vendit.

Edhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se u ka ofruar ndihmën e BE-së autoriteteve të Kosovës. Ai ka kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Pas sulmit që ndodhi mbrëmë në kanalin kryesor të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, ka reaguar Bashkimi Evropian, ku këtë sulm e kanë cilësuar si sulm “terrorist” si dhe akt “sabotimi”,

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, e dënoi sulmin në një komunikatë për media.

Edhe partitë opozitare në vend kanë dënuar sulmin.

Për këtë rast janë arrestuar disa persona dhe janë konfiskuar armatim e unifroma ushtarake.

Ministri Sveçla e cilësoi sulmin si "më të rëndin ndaj infrastrukturës kritike që nga përfundimi i luftës". Sipas tij, sulmi është kryer në mënyrë të mirëorganizuar nga grupe profesionale me qëllime terroriste. Sveçla fajësoi drejtpërdrejt Beogradin për orkestrimin e tij.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi se sulmi është kryer duke përdorur rreth 15 deri në 20 kilogram eksploziv.

Ai bëri të ditur se hetimet fillestare të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), kanë arrestuar 8 persona të dyshuar si nxitës, organizatorë apo ekzekutues të këtij akti terrorist.

Ky dëmë është sanuar fillimisht sa për të mos bllokuar KEK-un dhe furnizimet me ujë për disa qytete të Kosovës.

Në këtë LINK mund të lexoni gjithçka nga shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit.

Lajme të ngjashme