Japonia detyrohet që ta shkatërrojë raketën e vet pas lëshimit të dështuar - NACIONALE

Japonia detyrohet që ta shkatërrojë raketën e vet pas lëshimit të dështuar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Japonia është detyruar që të shpërthejë një raketë gjatë një lëshimi të dështuar të martën, duke u dhënë një goditje përpjekjeve për të depërtuar në tregun e udhëhequr nga kompania “SpaceX” e miliarderit Elon Musk.

Agjencia japoneze e hapësirës u detyrua që të jepte komandë për vetëshkatërrim në raketën H3, kur motori për fazën e dytë të fluturimit dështoi disa minuta pas ngritjes në qiell, raporton televizioni BBC.

Raketa H3 është raketa e parë me lartësi mesatare që është dizajnuar nga Japonia në tri dekadat e fundit. Ajo ishte prezantuar si alternativë më e lirë se raketa “Falcon 9” e kompanisë “SpaceX” për dërgimin e satelitëve komercialë e qeveritarë në orbitën e Tokës.

Të martën, inxhinierët synonin që raketën 57 metra të gjatë ta dërgonin në hapësirë me një satelit vëzhgues brenda saj. Sistemi “ALOS-3” mund ta dallojë lëshimin e raketave nga Koreja e Veriut.

Dështimi i lëshimit të martën ndodhi pas një dështimi tjetër në shkurt, kur raketa as nuk u ngrit në qiell për shkak të pengesave teknike.

“Ndryshe nga anulimi dhe shtyrja e kaluar, kësaj radhe ishte dështim i plotë”- tha Hirotaka Watanabe, profesor i politikave hapësinore në Universitetin e Osaka-s.

Ministrja e Shkencës e Japonisë, Keiko Nagaoka, tha se autoritetet do ta hetojnë shkaktarin e dështimit të motorit të raketës. Ajo kërkoi falje që nuk janë përmbushur pritshmëritë e publikut.

Japonia është duke e thelluar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për punën në hapësirë dhe është zotuar për dërgimin e mallrave në stacionin e planifikuar hapësinor hënor, “Gateway”.

Lajme të ngjashme