“Jam mbetë invalid për krejt jetën” – rrëfimi për grabitjen në kazino që u krye para 8 vjetësh - NACIONALE

“Jam mbetë invalid për krejt jetën” – rrëfimi për grabitjen në kazino që u krye para 8 vjetësh

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Me 5 vjet burgim është dënuar Ilir Isufi për një grabitje në një kazino para 8 vitesh në qytetin e Pejës. Isufi ishte ekstraduar nga Zvicra, pasi paraprakisht ishe shpallur në kërkim. Dënimi është shpallur sot në Gjykatën Themelore të Pejës, dhe gazeta Nacionale sjell detajet.

Izet Hosniq ishte pronar i një bastoreje në Pejë. Për disa ditë me radhë, Hosniqin e kishte përcjellë një klient i rregullt i tij. Fjala është për Ilir Ukën. Por, Uka në vitin 2013, dyshohet se kishte porositur të akuzuarit e tjerë Xhevat Dasiq dhe Xhavit Berisha, të cilët kishin hyrë për të grabitur në bastoren e Izet Hosniq. Aty kishin marrë 8 mijë euro dhe e kishin plagosur pronarin e bastores.

Pas shpalljes së dënimit prej 5 vitesh burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë për të akuzuarin e fundit Ilir Uka, Hosniq ka rrëfyer për gazetën Nacionale se është i pakënaqur me këtë vendim. Ai ka treguar se sot e asaj dite vuan pasojat që i janë shkaktuar.

“Nuk jam i kënaqur aspak me dënimin qe iu dha Ilir Isufit për veprën qe më ka dëmtuar dhe do të ushtroj ankesë kundër këtij vendimi të Gjykatës së Pejës. Unë tash kam mbetë invalid për krejt jetën, se unë jam plaçkitë në vend të punës nga dy persona Xhavit Berisha dhe Xhevat Daciç edhe m'i kanë marrë 8000 euro edhe dy plumba mi kanë jep. E këta dy kanë qenë të porositur nga Iliri që ka qenë klient tek ne”, ka rrëfyer Hosniq.

Gazmend Shaqiri, një punëtor në këtë biznes të lojërave të fatit, ka thënë për Nacionalen se tash e asaj kohe, ka probleme psikologjike.

Unë kam shpëtuar për pak se kur i kam dëgju gjuajtjet me armë jam fshehur në bodrum dhe kam shpëtu, po sot e asaj dite jam me stres e me barna”, deklaroi Shaqiri për Nacionalen.

Vendimi i gjykatës

Trupi gjykues e ka dënuar Ilir Ukën me 5 vjet burgim dhe 1 mijë e 500 euro gjobë. Në periudhën e dënimit të pandehurit do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

Kujtojmë se në aktakuzë, ishte zhvilluar një proces i ndarë gjyqësor ndaj të dënuarve Xhevat Dasiq dhe Xhavit Berisha, kurse i akuzuari Ilir Isufi ishte në kërkim nga organet e drejtësisë dhe më pas ishte arrestuar dhe ekstraduar nga Zvicra për në Kosovë.

I akuzuari Ilir Isufi ngarkohej se në grup dhe me armë me të dënuarit Xhavit Berisha dhe Xhevat Dasiq, më 2013 kishin grabitur bastoren dhe plagosur pronarin Izet Hosniq.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 14 korrik 2021, i akuzuari Ilir Isufi ngarkohet se më 29 dhjetor 2013 në grup dhe me armë me të dënuarit tjerë, Xhavit Berisha dhe Xhevat Dasiq, kishin sulmuar jetën e të dëmtuarve Izet Honsiq dhe Gazmend Shaqirit, për qëllime përfitimi.

Xhevat Dasiq ishte dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë, kurse Xhavit Berisha me 4 vite burgim dhe 500 euro gjobë nga Gjykata e Pejës, vendim ky i vërtetuar nga Gjykata e Apelit.

Aktakuza përshkruan se i akuzuari kishte përcjellë tri net të dëmtuarin Honsiq duke qëndruar në bastoren e tij, dhe kur e kishte kuptuar se i dëmtuari ka një shumë të madhe të parave të fituar gjatë lojës së klientëve në bastore, kishte njoftuar dy të dënuarit tjerë Xhavitin dhe Xhevatin për të kryer grabitjen.

Sipas aktakuzës, në orën 2 të mëngjesit të 29 dhjetorit 2013, i pandehuri Ilir del së bashku me klientët tjerë që kanë qenë duke luajtur bastore, dhe pasi kollitet, dy të dënuarit Xhaviti dhe Xhevati hyjnë në lokal të maskuar duke kërkuar para.

Tutje, aktakuza thotë se i dënuari Xhevat Dasiq shtie në drejtim të dëmtuarit Izet, kurse i dëmtuari tjetër Shaqiri largohet duke u fshehur në bodrum, ndërsa pasi i dëmtuari Izet rrëzohet, i dënuari tjetër Xhavit Berisha ia merr të hollat, kurse pas rezistencës së të dëmtuarit, i dënuari Xhevat shtie prapë me armë të dëmtuarin duke e plagosur në kukën e këmbës së djathtë.

Aktakuza përshkruan se dy të dënuarit kishin marrë shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari dhe i kishin ndarë në pjesë të barabarta me të pandehurin Ilir.

Me çka ngarkohet se ka kryer veprën penale të “Grabitjes” nga neni 329, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1, për të cilën vepër sipas Kodit Penal parashikohet dënimi me gjobë dhe me 7 deri 15 vite burgim.

Lajme të ngjashme