Jakurti: Pagat joadekuate janë problem për të tashmen dhe të ardhmen e ekonomisë së vendit
Duke iu referuar rezultateve të Institutit Ndërkombëtar Republikan, njohësi i ekonomisë Edison Jakurti ka bërë të ditur se ekonomia në Kosovë “është fusha gjendjen e së cilës pjesëmarrësit e anketës e vlerësojnë si më të keqen.”
“Sipas rezultateve të publikuara dje nga Instituti Ndërkombëtar Republikan, të dala nga anketa e realizuar gjatë muajit maj 2024, ekonomia është fusha gjendjen e së cilës pjesëmarrësit e anketës e vlerësojnë si më të keqen. Për çdo 2 nga 3 pjesëmarrës, situata ekonomike është "deri diku e keqe" ose "shumë e keqe", – tha ai.
Jakurti tha se për 65% të pjesëmarrësve në këtë raport “, kostoja e jetesës për shkak të çmimeve të larta është problemi i parë ose i dytë më i rëndësishëm me të cilin ballafaqohet Kosova”.
“Cili është konkretisht problemi? Për 65% të pjesëmarrësve, kostoja e jetesës për shkak të çmimeve të larta është problemi i parë ose i dytë më i rëndësishëm me të cilin ballafaqohet Kosova. Ky pasohet nga papunësia, ku më shumë se gjysma e shohin si problematike mungesën e vendeve të punës me paga adekuate. Është e qartë që të ardhurat e pamjaftueshme janë ura lidhëse e këtyre dy problemeve”, shkroi ai më tej.
Sipas ekspertit të ekonomisë, “pagat joadekuate janë problem për të tashmen dhe të ardhmen e ekonomisë së vendit”.
“Si mund të adresohen? Në fillim të këtij muaji e kemi publikuar një studim ku vlerësohet paga e jetesës (https://bit.ly/3LbZjkd). Pagat joadekuate janë problem për të tashmen dhe të ardhmen e ekonomisë së vendit. Për rritjen e tyre, ekzistojnë mekanizma në duar të qeverisë, sektorit privat, e sindikatave. Duhet vullnet.”