Jabllanoviqi pritet të kandidojë për kryetar të Leposaviqit në zgjedhjet e 18 dhjetorit
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë pritet që të marrë pjesë edhe partia e Aleksandër Jabllanoviqit. Kjo u bë e ditur nga vetë Jabllanoviqi përmes një komunikimi me Zërin e Amerikës.
Jabllanoviqi për ZA ka konfirmuar se do të jetë kandidat i Partisë së Serbëve të Kosovës për kryetar të Leposaviqit në zgjedhjet e 18 dhjetorit.
Ai u shpreh se nuk janë të lidhur me zyrtarët e Listës Serbe dhe se ata nuk mund të vendosin për partinë e tij.
“Vendimi i Listës Serbe që të mos kandidojë dhe të largohet nga institucionet është ekskluzivisht vendim politik i një partie, e cila është opsioni ynë politikisht i kundërt dhe ne nuk mund ta respektojmë vendimin e tyre dhe as ata nuk mund të vendosin në emrin tonë. Prisnim një sinjal nga Beogradi, por nuk kishte, gjëja e tretë e rëndësishme është se ne nuk duam t'i lejojmë shqiptarët ta marrin pushtetin në Leposaviq, ku kemi pikëmbështetje më të fortë"- tha Jabllanoviqi për Zërin e Amerikës.
Jabllanoviqi pret që Lista Serbe, e cila më parë kishte shpallur bojkot, do të marrë pjesë në zgjedhje.