Isufaj konfirmon hetimet për tensionet në veri: Fare nuk më intereson çka thotë pushteti - NACIONALE

Isufaj konfirmon hetimet për tensionet në veri: Fare nuk më intereson çka thotë pushteti

10 muaj më parë

nga Besian Beha

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, e ka konfirmuar për gazetën Nacionale, se kanë nisur hetime lidhur me situatën e fundit të krijuar në veri.

Megjithatë, Isufaj në një prononcim për Nacionalen, ka thënë se nuk merret fare me deklaratat që vijnë nga pushteti.

Kjo një ditë pas një postimi të ministrit të Kulturës e Sportit, Hajrullah Çeku, i cili tha se është në dorën e Prokurorisë të bëjnë tash hetimet.

“Kriminelët në veri tash veçse dihen. Ata kanë emër e mbiemër. Institucionet e sigurisë po bëjnë punë të jashtëzakonshme në identifikimin e tyre. Tash është radha e Prokurorisë”, kishte shkruar Çeku.

Megjithatë, me postimin e Çekut e deklarata të tjera që ka pasur nga pushteti ditëve të fundit, nuk po merret kryeprokurori Isufaj.

Për Nacionalen, Isufaj ka thënë se punojnë në bazë të ligjit, dhe nuk i komenton aspak deklaratat që vijnë nga qeveria.

“Shumë shkurt edhe thjeshtë: As që komentoj çka thotë pushteti as kërkush, punojmë në bazë të ligjit. Në fazën e hetimeve nuk komentojmë asgjë”, tha fillimisht Isufaj.

“Për dijeni edhe tënden edhe të pushtetit, fare nuk më intereson çka thojnë ata”, theksoi Isufaj që tash e një vit po pret vendimin nëse do të dekretohet për Kryeprokuror të Shtetit.

Ai ka konfirmuar se hetimet i kanë filluar, por që nuk mund të ofrojë më shumë detaje.

“Natyrisht që ne hetimet nisim, por nuk komentojmë”, deklaroi Blerim Isufaj.

May be an image of one or more people, the Brandenburg Gate, crowd and text

Ishte vetë kryeministri Kurti që në seancën e të premtes në Kuvendin e Kosovës, i bëri publik emrat e disa prej serbëve që janë pjesë e strukturave ilegale e kriminale në veriun e vendit.

Kurti ka përmendur të parin Milorad Jevtiqin. Tutje ka përmendur Miçko Jevtiqin, Rajko Jevtiqin, Danilo Josifoviqin, Liljana Aksentijeviqin e Aleksandër Filipoviqin

Kurti ka përmendur si të maskuar edhe Nikola Axhiqin (hedhje koktej molotovi), Milan Zhijkoviqin, Danilo Krivokapiqin, Jovica Lazoviqin, Nikola Radomiroviqin, vëllezërit Stefan e Dejan Nedejlkoviq, Damjan Knezheviq.

Për sulme ndaj KFOR-it, Kurti ka përmendur edhe Vladimir Radivojeviqin, Daniel Gjukiqin, Milosh Gjukiqin, Milan Tomiqin, Milan Joviqin, Peter Milosheviqin, Dejan Jevtiqin, Nikola Baldinin, Milan Zhivkoviqin, Vuk Brankoviqin, Luka Vlaskoviqin, Bozhidar Todoroviqin dhe Radish Adenoviqin si dhe Daniel Shmigiqin.

Sipas Kurtit, në protesta ka pasur edhe tifozë të Crvena Zvezdës. Ai ka thën[ se janë arrestuar Nebojsha Elezoviq, Radosh Mitroviq, Zhivojko Milintijeviq, Ivan Sekiliq e Sinisha Jevtiq.

Isufaj ditë më parë ishte akuzuar nga qeveria se është “prokuror që nuk e ka fituar asnjë rast”. Krejt kjo pas arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimet për korrupsion e keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dy prej serbëve që u arrestuan për dhunën ndaj KFOR-it, janë në paraburgim.

Lajme të ngjashme