Ish-kryetari i Nismës në Malishevë shpallet fajtor për korrupsion, thotë se do të ankohet në Apelit - NACIONALE

Ish-kryetari i Nismës në Malishevë shpallet fajtor për korrupsion, thotë se do të ankohet në Apelit

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, është shpallur fajtor për korrupsion, megjithëse për gazetën Nacionale thotë se ky vendim është i padrejtë dhe kundër tij, dhe se do të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë.

Begaj u shpall fajtor për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në rastin e ndërtimit të një shkolle në fshatin Drenoc.

Aty, Begaj u akuzua se duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i kishte tejkaluar kompentencat e tij, me ç’rast i ka shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës.

Ish-kryetari tha për Nacionale se asnjëherë nuk është përfshirë në afera korruptive dhe premtoi se do të ankohet në Gjykatën e Apelit.

“Mendoj që ky vendim i Gjykatës është i padrejtë, unë asnjëherë në karrierën time nuk jam marrë me afera korruptive. Vendimin si i tillë nuk e pranoj, më duket i padrejtë, dhe për këtë çështje do të ankohem në Gjykatën e Apelit dhe do të përdori të gjitha mekanizmat ligjorë”, tha Begaj për gazetën Nacionale.

Begaj gjatë seancës fillestare që është mbajtur më 5 gusht 2021, ishte deklaruar se është i pafajshëm.

Sipas aktakuzës, Begaj më 7 nëntor 2018, kishte caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në këtë fshat, por një pjesë e objektit shkollor ishte planifikuar të ndërtohej në pronë private, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal.

Por, aneksi i shkollës “Visar Krasniqi” përkundër se ishte planifikuar, nuk u ndërtua kurrë. Gjithashtu, ish-kryetari akuzohet se në tetor të vitit 2018, kishte nxjerrë mjete financiare nga një program në tjetrin, në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Lajme të ngjashme