Ish-deputetët e Parlamentit serb paralajmërojnë se Serbia do të zgjedhë anë
Politikanët opozitarë në Serbi nuk janë befasuar me qëndrimin e Aleksander Vuçiqit për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës.
Ata mendojnë se pozicioni neutral i Serbisë ndaj kësaj lufte është mundësuar prej Perëndimit për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, të cilat do të mbahen me 3 prill.
Ish-deputetët e Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi dhe Nenad Çanak, kanë deklaruar për gazetën Nacionale se SHBA-ja dhe BE-ja do ta shtojnë presionin ndaj Serbisë për të ndryshuar qëndrim.
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, ka vlerësuar se Serbia do të detyrohet të marrë anë.
“Këto kontradikta në qëndrimet e Serbisë, kanë mbijetuar deri më tani edhe për shkak të faktit se ajo, asnjëherë nuk është përballur me një presion serioz për të marrë njërën anë. Ajo ka vazhduar me politikën e neutralitetit, respektivisht me politikën e të qëndruarit në dy karrige: me Perëndimin dhe Rusinë. BE-ja për shkak të ndikimeve të autokratëve të brendshëm, ka qe në toleruese ndaj Serbisë. Tash kësaj po i vjen fundi. Aktualisht presidenti serb dhe Serbia, ndoshta edhe mund të vazhdojnë me neutralitetin e proklamuar, po kurrsesi jo pas 4 prillit kur në këtë vend do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Pas këtyre zgjedhjeve, besoj, demokracitë perëndimore liberale do ta detyrojnë Serbinë të marrë anë. Asaj nuk do t’i tolerohet të vazhdojë me këtë lojë të dyfishtë”, ka thënë Kamberi.
Ai ka vlerësuar se pozicioni i presidentit serb kundër Rusisë do të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve. “Mendoj se SHBA-ja dhe Perëndimi duhet të kërkojnë pa humbur kohë që Serbia të rreshtohet me botën perëndimore dhe jo vetëm të gjykojë agresionin rus, por, edhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Si do të përballet me këtë sfidë Serbia dhe presidenti i saj, mbetet të shohim. Pjesë e madhe e shoqërisë serbe janë rusofilë, prandaj edhe për shkak se kjo pjesë mund ta rrezikojë në zgjedhje, mendoj se Aleksandar Vuçiq nuk do të marrë qëndrim të prerë deri më 3 prill”, ka thënë Kamberi.
Ndërsa, ish-deputeti Nenad Çanak, ka treguar për vështirësitë që ka Serbia për ta ndryshuar këtë pozicion.
“Pozicioni i Serbisë është pa dyshim i vështirë, sepse është i ndarë mes varësisë energjetike nga Rusia, të cilën na e solli regjimi i Vojisllav Koshtunicës, pastaj mitit të "Putinit serb" në të cilin besojnë një numër i madh qytetarësh të ndikuar nga mediat pro-ruse, dhe nga ana tjetër, dëshirës për një vend në shoqërinë e vendeve të zhvilluara evropiane. Përveç kësaj, Serbia gjendet në mes të një fushate zgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale”, ka thënë ai për gazetën Nacionale.
Çanak ka deklaruar se Serbia duhet të reflektojë, ngase rajonit më nuk i duhen tensione.
“Jam i bindur se politikanët e përgjegjshëm në rajon e kuptojnë mirë se sa e vështirë është të balancohesh në atë teh të hollë dhe se do të jenë të kujdesshëm që me veprimet e tyre të mos kontribuojnë në krijimin e tensioneve të reja. Mendoj se njerëzit si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë janë të lodhur nga tensioni. Nëse Bashkimi Evropian nuk e kupton se sa e rëndësishme është zbutja e kufijve sa më shpejt që është e mundur, do të përfundojmë në një situatë ku këto negociata nuk do të jenë më të rëndësishme për të gjithë ne, sepse e gjithë rinia jonë do të shpërngulet në vendet e BE-së”, ka thënë Çanak.
Serbia është i vetmi vend në rajon dhe me gjerë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Sidoqoftë Serbia ka votuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) për rezolutën që ka dënuar agresionin e Rusisë në Ukrainë. Për një gjë të tillë, presidenti Aleksandër Vuçiq ka marrë një telefonatë falenderimi nga zyrtarja e lartë në administratën amerikane, Victoria Nuland. Kjo kishte nxitur këshilltaren e kryeministrit Albin Kurti, znj. Fëllanza Podrimja, që të reagonte me protestë në një postim tashmë të fshirë.
Pas miratimit të kësaj rezolute, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka ritheksuar se vendi i tij nuk do të vendosë sanksione kundër Kremlinit por pas zgjedhjeve të 3 prillit, një gjë e tillë mund të ndryshojë.
Madje, ai ka bërë me dije se Serbia nuk do të dërgojë armë në Ukrainë dhe nuk do të lejojë kalimin tranzit të armëve që dërgohen në zonat e luftës.