Ish-partnerja e Oliver Ivanoviq pritet që shpejtë të dëshmojë për vrasjen e tij
Në Gjykatën Themeleore në Prishtinë të martën u mbajt gjykimi rreth vrasjes së politikanit serb, tashmë të nderit Oliver Ivanoviq. Trupi gjykues mori aktvendim që përmes një video-linku ta dëgjojë deklaratën e dëshmitares Milena Popoviq ish-partnerja e Oliver Ivanoviqit.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, njoftoi palët se dëshmitarja Popoviq është ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata përmes e-mailit për të dhënë dëshminë e saj, Por ajo përmes emaili ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë e pranishme në seancë për shkaqe të situatës politike dhe sigurisë së saj.
Ish-partnerja e Oliver Ivanoviqit tha se është e gatshme të flasë por vetëm përmes video-linkut.
E prokurori special Burim Çerkini, deklaroi se për shkak të mungesës së saj shqyrtimi gjyqësor është shtyrë disa herë, por deklaroi se nuk mund ta presin deri në pafundësi këtë dëshmitare.
“Ne kemi një dëshmi të cilën e ka dhënë dhe nëse eventualisht nuk kemi ndonjë e-mail zyrtar që nesër do të jetë prezent, ndoshta sot e njofton gjykatën që nesër do të jetë prezent, atëherë sikurse tek dëshmitarët tjerë ne pajtohemi që seanca të vazhdojë edhe pa dëgjimin e saj, tu e konsideru të lexume dhe të vazhdojmë me planet tjera që i kemi në këtë çështje penale”, tha prokurori Çerkini.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Nedelkjo Spasojeviq, avokati Faruk Korenica, lidhur me dëshmitaren Popoviq ka thënë se disa herë përmes televizionit e ka dëgjuar atë duke thënë se është e gatshme të paraqitet para gjykatës dhe të tregojë se kush është porositësi i vrasjes, motivi i vrasjes dhe sipas tij herën e fundit atë e ka dëgjuar duke thënë edhe emrin e personit që e ka ekzekutuar Ivanoviqin.
“Ajo ka dhënë në fillim disa deklarata dhe është e sigurt që Oliver Ivanoviqin e kanë vrarë shqiptarët, prandaj edhe e arsyeton ikjen menjëherë pas vrasjes në Beograd, ndërsa sot flet diçka tjetër”, tha avokati Korenica.