Ischinger për takimin Kurti-Vuçiq: Shpresoj që apeli im s'u botua kot
Wolfgang Ischinger, ish-diplomat gjerman, ditën e djeshme ka publikuar një shkrim duke bërë apel për arritjen e një “pike kthese” mes Kosovës e Serbisë, gjatë takimit që po zhvillohet aktualisht në Ohër, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“Shpresoj që apeli im në Politico, nuk u botua kot: të dyja palët duhet të bëjnë një hap besimi pikërisht tani – sot!”- ka shkruar Ischinger në Twiiter.
“Serbia duhet të pranojë faktin se Kosova është këtu për të qëndruar, përfshirë edhe në skenën ndërkombëtare dhe Kosova duhet të pajtohet me domosdoshmërinë e adresimit të shqetësimeve të pakicës së saj serbe, duke përfshirë pranimin e formimit të parashikuar të një asociacioni të komunave me shumicë serbe. Si mik i Kosovës dhe i Serbisë dhe vetë ish-negociator i BE-së, i bëj thirrje Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti që të bëjnë një hap besimi që tani. Më 18 mars, në Ohër, të dy do të kenë një mundësi historike për të treguar guxim dhe lidership politik. Tani është koha për të çuar përpara Serbinë dhe Kosovën së bashku, në interes të popullit të tyre, në interes të Ballkanit Perëndimor dhe në interes të paqes dhe sigurisë në kontinentin evropian,”- ka shkruar Ischinger për Politico.
I hope my appeal in @POLITICOEurope was not published in vain: both sides should take a leap of faith right now - today! https://t.co/wXngIV3aty
— Wolfgang Ischinger (@ischinger) March 18, 2023
Ndërkohë në rikujtim të kësaj kërkese, pak më parë, ai ka shpërndarë edhe postimin e ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, në lidhje me takimin që po mbahet.
“Asnjë lajm pas më shumë se tetë orësh diskutimesh në Ohër mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, dhe emisari Miroslav Lajcak. Emisari amerikan Escobar është gjithashtu aty,” - ka shkruar Selimi.
