IPK formon ekip që të vlerësohen veprimet e Policisë së Kosovës dje në veri - NACIONALE

IPK formon ekip që të vlerësohen veprimet e Policisë së Kosovës dje në veri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se ka themeluar Ekipin e përbashkët për vlerësimin e veprimeve policore gjatë ditës së djeshme në veri.

IPK përmes jë komunikate për media, ka thënë se do të vlerësohen veprimet policore, derisa po asistonin kryetarët e komunave drejt zyrave të tyre.

“Bazuar në mandatin ligjor sipas detyrës zyrtare dhe në koordinim me Ministrin e Punëve të Brendshme, IPK ka krijuar një Ekip të përbashkët (inspektor/hetues) për të vlerësuar veprimet policore gjatë operacionit policor të ditës së djeshme në tre komunat veriore të vendit (Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).” – thuhej në komunikatë.

Tutje, bëhet i ditur edhe qëllimi i formimit të këtij ekipi.

“Qëllimi i punës së këtij Ekipi është që të sigurojmë që Policia e Kosovës ka kryer detyrat konform standardeve dhe autorizimeve kushtetuese e ligjore, drejt krijimit të një mjedisi të sigurt për qytetarët pa dallim. Po ashtu, Ekipi synon të identifikojë nëse gjatë këtij operacioni ka pasur tejkalim të autorizimeve policore.” – bëhet e ditur tutje.

Në fund, IPK deklaron si vijon: “IPK siguron se varësisht nga gjetjet e punës së këtij Ekipi, konform autorizimeve ligjore dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Prokurorin e Shtetit do të adresojë çështjet e ngritura”.

Çka ndodhi në veri?

Tentimi i kryetarëve të rinj të Zveçanit dhe Zubin Potokut për të hyrë në objektet e komunave nuk ka qenë i lehtë.

Me të marrë këtë lajm, serbët lokalë kanë lëshuar alarmet dhe ka filluar grumbullimi i qytetarëve për t`i bllokuar hyrjet e objekteve të komunave. Kjo ka nxitur tensionimin e situatës, e cila ka çuar edhe në intervenimin e Policisë së Kosovës.

Intervenimi i policisë në shpërndarjen e trumave para objekteve komunave në Zveçan dhe Zubin Potok ka bërë që disa zyrtarë të lëndohen.

“Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore. Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë." - është thënë në komunikatën e policisë.

Lajme të ngjashme