Intervistë | Riad Rashiti: PDK në Gjilan do të jetë në balotazh
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Komunën e Gjilanit, Riad Rashiti ishte i ftuari i rradhës për intervistë në Gazetën Nacionale, me gazetarët Dafina Demaku dhe Arbër Ramadani.
Rashiti në një intervistë prej 30 minutash, ka ndarë me publikun planet e tij për qytetin e Gjilanit si dhe për degën e PDK-së atje. Rashiti është shprehur optimist për zgjedhejt e 12 tetorit, duke thënë se PDK-ja në Gjilan, sipas matjeve të fundit dhe situatës në terren është në balotazh, dhe se shpreson për fitore.
Kandidati për Kryetar të Gjilanit ka ndarë detaje edhe të bashkqeverisjes së PDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje deri para prishjes së koalicionit, për çka ka thënë se është vërtetuar se është e pamundur të punohet me këtë parti. Rashiti ka thënë se që nga fillimi ka qenë kundër koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, por që dega pati vendosur ndryshe. Ai tutje në Nacionale shpalosi detaje të padisë së dorëzuar kundër Kryetarit të Gjilanit Alban Hyseni në Prokurorinë Speciale, duke treguar në detaje se si, sipas tij, dyshohet se janë keqpërdorur miliona euro, nga buxheti i Komunës së Gjilanit.
Rashiti gjithashtu ka shpalosur në detaje, se si do të duket Gjilani, 100 ditë pas qeverisjes së tij.