Intervistë | Osmani: Taravari është eksponent i Mickovskit, gjatë gjithë kohës ka përçarë shqiptarët
Ish-kandidati për President të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, është shprehur optimist për zgjedhjet parlamentare të 8 majit. Ai beson se shqiptarët tashmë janë përcaktuar për alternativen e tyre politike. Sipas tij, të mërkurën forcat maten mes Frontit Evropian dhe VMRO DPMNE.
Ish-kandidati për President të Maqedonisë, Bujar Osmani, ka bërë me dije se lideri i VLEN-it, Arben Taravri, është eksponent i kryetarit të VMRO-së, Hristijan Mickovski.
Ai ka treguar se gjatë gjithë fushatës Taravari ka luajtur lojën e Mickovskit për t`i përçarë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, Osmani ka vlerësuar se tani Taravari dhe aleatët e tij po duan të bëjnë puç dhe ta minojnë Marrëveshjen e Ohrit.
Megjithatë, ai është shprehur i bindur se nuk do të arrihet një gjë të tillë.
Ky “karagjozllëk”, sipas tij, do të marrë dënimin e fuqishëm ditën e zgjedhjeve.
Në këtë intervistë, Osmani ka folur edhe për ndërhyrjen e kryeministrit Albin Kurti në këto zgjedhje dhe pasojat e kësaj ndërhyrje.
Osmani, i cili është edhe Ministër i Jashtëm i Maqedonisë, ka folur edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Ai ka thënë se Kosova duhet të kultivojë partneritetin dhe besimin e ndërsjellë me ShBA-në dhe shtetet kryesore të Bashkimit Evropian.
Nacionale: Z. Osmani, jemi shumë afër zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Maqedoni të Veriut. Pse po konsiderohen kaq të rëndësishme këto zgjedhje?
Osmani: Maqedonia e Veriut është në një udhëkryq në të cilin qytetarët do të duhet të përcaktohen për të ardhmen e saj. Vendi ka dy rrugë para vetes të prezantuara si dy oferta politike alternative: Integrimin Evropian ose Izolimin, bashkëjetesën ndëretnike ose nacionalizmin përjashtues që do krijonte prishje të tolerancës ndëretnike, raporte të mira ndërfqinjësore ose konflikte të hapura me fqinjët, progres ekonomik ose ngulfatje politike, ekonomike dhe sociale. Zakonisht, zgjedhjet nuk kanë aq efekt dramatik mbi të ardhmen e vendit tonë. Kësaj radhe pasojat do jenë pikërisht dramatike nëse e humbasim rrugën.
Nacionale: Gjatë fushatës zgjedhore, sa keni arritur t`i bindni shqiptarët që të votojnë Frontin Evropian?
Osmani: Fitorja e thellë ndër shqiptarët në zgjedhjet presidenciale ishte dëshmi se populli ishte i vetëdijshëm dhe i mirinformuar për ofertat alternative dhe bëri zgjedhje pa lënë asnjë shteg për dilema dhe interpretime.
Nacionale: Pse shqiptarët duhet ta votojnë koalicionin Fronit Evropian në këto zgjedhje?
Osmani: Shqiptarët kanë ditur të bashkohen në momente vendimtare. U bashkuan më 1991 kur erdhi demokracia, u bashkuan më 2001 kur erdhi kushtrimi për liri dhe barazi dhe u bashkuan përsëri këtë vit për të ruajtur arritjet e barazisë nga kërcënimi i nacionalizmit hakmarrës. E bukura e këtij bashkimi të shqiptarëve është se kanë vendosur shpatullat që mbi ta tash kërkojnë barazinë e tyre edhe komunitetet e vogla duke shprehur mirënjohjen më të madhe për pozicionin e fuqishëm të shqiptarëve në vend dhe përpjekjet tona të drejta e parimore. Fronti Evropian është paradigmë e bashkimit të tretë që do neutralizojë nacionalizmin toksik që po pretendon ta helmojë shtetin tonë multietnik e multikonfesional dhe demokracinë tone funksionale shumetnike.
Nacionale: Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale ju keni dal bindshëm mbi kandidatin e VLEN-it, z. Taravari. Cilat janë synimet tuaja për këtë zgjedhje, sa deputetë synoni t`i fitoni?
Osmani: Ne kemi pasur informacione që nga fillimi se z. Taravari është eksponent i Mickovskit dhe ai gjatë gjithë kohës ka luajtur lojën e tij për t’i përçarë shqiptarët. Të them të drejtën gjatë fushatës edhe nuk jam marrë me të, por me promovimin e agjendës time. Më 24 prill doli që populli e kishte lexuar mirë që oponenti im nuk ishte qëllimmirë dhe nuk ishte i sinqertë ndaj tyre, ndaj edhe e dënoi - me votë. Tani, pa fije përgjegjësie duan t’i bëjnë puç, ta minojnë Marrëveshjen e Ohrit duke thënë se ne Maqedoni të Veriut ka vetëm një shumicë dhe se përfaqësuesit e shqiptarëve do t’i zgjedh fituesi te maqedonasit, njësoj siç vepronte Millosheviqi dikur me Sejdo Bajramoviqin, Ali Shukriun apo Rahman Morinën duke i cilësuar ata “shqiptarë të ndershëm” si përfaqësues të popullit shqiptar në Kosovë, pa vullnetin e tyre. Është i njohur fundi i tyre. Në rastin tonë, kjo i ka ofenduar dhe nënçmuar rëndë shqiptarët duke goditur dinjitetin e tyre si popull shtetformues, por është goditje edhe për esencën e Maqedonisë së Veriut të pas Marrëveshjes së Ohrit e cila kërkon që përveç shumicës së thjeshtë domosdo të ketë edhe shumicë të dyfishtë që do reflektojë vullnetin e popullit shqiptar. Jam më se i bindur se ky karagjozllëk, për të mos përdorur ndonjë fjalë tjetër, do të marrë dënimin e fuqishëm më 8 maj.
Nacionale: Në këto zgjedhje kemi parë një përfshirje të paprecedent Qeverisë së Kosovës. Si e keni parë këtë ndërhyrje?
Osmani: Mendoj se përgjigja më e mirë ishin rezultatet që arritëm më 24 prill dhe pres që kjo të konfirmohet edhe më fuqishëm më tetë maj. Në përgjithësi, mendoj se Kosova ka nevojë për miq, veçanërisht te shtetet fqinjë të cilat e kanë mbështetur pa ekuivoke në rrugëtimin e saj drejt etablimit ndërkombëtar dhe ky duhet të jetë prioriteti kryesor para çdo interesi tjetër partiak.
Nacionale: Besoni se përfshirja e z. Kurti do të sjell ndonjë ndikim të koalicioni që po e përkrah ai?
Osmani: Mendoj që shqiptarët veç më janë përcaktuar me 24 prill për përfaqësuesin e tyre dhe beteja politike brendashqiptare ka përfunduar. Tani më 8 maj forcat maten mes Frontit Evropian dhe VMRO DPMNE se cili opsion për shtetin dhe qytetarët ka për të dominuar. Integrimi apo izolimi, bashkëjetesa dhe barazi apo tentativa për kthimin e supremacisë monoenike dhe mbivotimit.
Nacionale: Z. Osmani, ju jeni edhe Ministër i Jashtëm i Maqedonisë. Kjo javë po konsiderohet si vendimtare për agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku pritet vendimin për anëtarësimin e Kosovës. Cilat janë pritjet tuja për këtë votim?
Osmani: Unë kam qenë një ndër ministrat e parë të Jashtëm i cili në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës ka ngritur çështjen e anëtarësimit të Kosovës dhe Maqedonia e Veriut do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm Kosovën me të gjitha kapacitete e saja. Për fat të keq, deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk morën pjesë në
votimin e fundit në Asamblenë Parlamentare. Dhe, kjo është hipokrizia më e shëmtuar e një partie që ndryshe flet e ndryshe vepron!
Nacionale: Deri tani kemi parë që Franca dhe Gjermania kanë kërkuar që para këtij votimi Kosova ta dërgojë draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Çka duhet të bëj Kosova dhe qeveria e saj në këtë rast?
Osmani: Kosova duhet të kultivojë partneritetin dhe besimin e ndërsjellë me SHBA dhe shtetet kryesore të Bashkimit Evropian. Asociacioni nuk duhet të jetë pikë e veçantë gjatë sinkronizimit të hapave të dala nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, por marrëveshjet duhet të implementohen nga dyja palët.