Intervistë | Hoxhaj: PDK-ja do të jetë fituese e zgjedhjeve, Hamza është certifikatë e sigurisë për besim
Kandidati i PDK-së për deputet, Enver Hoxhaj, ka shprehur bindjen e tij të plotë se kjo parti do të jetë fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai ka bërë me dije se garancë për këtë fitore është platforma e PDK-së, kandidati për kryeministër dhe lista zgjedhore.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Hoxhaj ka vlerësuar se në këto zgjedhje PDK-ja po garon për të rikthyer Kosovën në binaret e duhur.
“Unë nuk shoh ndonjë datë më të rëndësishme se sa 9 shkurti, me përjashtim të 17 nëntorit të vitit 2007 kur PDK-ja i ka fituar zgjedhjet dhe ka pasur mandatin dhe fatin historik që të jetëson shtetformimin e Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ka treguar synimin e PDK-së në këto zgjedhje.
“9 shkurti është për ta vazhduar misionin, për ta përmbyllur shtetndërtimin e Kosovës, por edhe për ta kthyer Kosovën në binar. Sepse në këto 4 vitet e fundit ka dalë nga binarët”, është shprehur ai.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme ka treguar se çka e dallon PDK-në nga partitë tjera në këto zgjedhje.
“Dallimi mes neve dhe të tjerëve është se ne e dimë nga dita e parë, java e parë dhe muaj i parë se çka do të bëjmë. E dimë në mënyrë të saktë se sa shpejt do të duhet të jetësohen premtimet. Qëllimi është që ta kemi një sektor të zhvilluar privat dhe të qëndrueshëm”, ka thënë Hoxhaj.
Duke e krahasuar këtë fushatë me atë parapraken, ai ka vlerësuar se në të gjitha tubimet e deritashme po shihet një nevojë e qytetarëve për ndryshim.
“Kësaj herë më të madhe po shihet se ka një nevojë të brendshme për ndryshim, ndryshim ky që është i mirëfillt. Ju i keni parë tubimet tona zgjedhore. Ne nuk i thërrasim të gjithë njerëzit që të vijnë në sallë, por është një nevojë e brendshme e tyre, është një kërkesë e tyre politike që ata të jenë të pranishëm në këto tubime. Dhe unë jam i bindur që ne garojmë në këto zgjedhje për të qenë subjekti i parë politik. Mbështetja çdo ditë e më shumë po rritet, kurse më 9 shkurt do të shihni se do ketë zgjedhje që do të jenë befasi e madhe sikurse që kanë qenë në të kaluarën”, është shprehur Hoxhaj.
Ai ka treguar tre elemente që ofertën e PDK-së e dallojnë nga partitë tjera që janë në garë për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Nëse ka një kandidat që në këto zgjedhje ka një lloj autoritetit që mund ta certifikon besimin, ai është Bedri Hamza. Njerëzit e njohin, e dinë se sa serioz është Bedriu, e dinë se sa punëtor dhe profesional është. E dinë që nuk premton më shumë se sa është në gjendje që të realizon dhe e dinë që nuk premton gjera jo serioze. Dhe nëse ka një adresë si një lloj certifikate të sigurisë së besimit është Bedri Hamza”, ka thënë ai.
I pyetur për mundësinë e bashkëpunimit me partinë e Albin Kurtit pas zgjedhje, Hoxha ka përjashtuar çdo mundësi.
Sipas tij, bashkëpunimi me VV-në do të ishte tradhti ndaj elektoratit të PDK-së.
“Ne ia themi VV-së një jo të madhe. Nuk mund të bashkëpunojmë me Lëvizjen Vetëvendosje. Për dikë që është gjatë në Kuvend dhe Qeveri dhe e njeh elektoratin e PDK-së, unë po vijë në këtë intervistë nga një aktivitet në Vushtrri, dhe do të ishte një tradhti ndaj elektoratit të PDK-së”, është shprehur Hoxhaj.
Ai ka bërë me dije se pas zgjedhjeve PDK-ja duhet të bashkëpunojë vetëm me partitë opozitare për formimin e institucioneve të reja.