Intervistë | Hamiti: Kurti mendon se edhe bota i është gëzuar fitores së tij - NACIONALE

Intervistë | Hamiti: Kurti mendon se edhe bota i është gëzuar fitores së tij

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kritikuar Qeverinë në fushën e politikës së jashtme. Ai ka thënë se aktualisht Kosova nuk ka fare politikë të jashtme. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ish-ambasadori i Kosovës në Londër, ka vlerësuar se nuk ka rezultate në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, nuk ka sanksionime për aktorët e skandaleve në diplomaci dhe ka ngecje në dialog.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, është shprehur i pakënaqur me punën e Qeverisë Kurti në politikë të jashtme.

Ai ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ende është duke u kënaqur me fitoren e tij mbi 50 për qind.

Sipas tij, Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje mendojnë se edhe bota i është gëzuar fitores së tyre.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Hamiti ka vlerësuar se kjo qeveri nuk ka asnjë sukses në fushën e politikës së jashtme.

Ish-ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe ka thënë se kjo qeveri e ka kthyer dialogun e Brukselit në dialog teknik.

Sipas tij, marrëveshjet që i ka kritikuar dhe damkosur, tani Kurti po i zbaton.

Nacionale:

Z. Hamiti, cili është vlerësimi juaj për politikën e jashtme të Qeverisë Kurti?

Hamiti:

Në esencë ka mungesë të politikës së jashtme. Shihni programin e Qeverisë por edhe punën e saj të deritanishme për t’u bindur. Albin Kurti dhe LV-ja ende mendojnë se, si këta vetë, edhe bota është e gëzuar që kanë fituar 50% të votave me satelitët e vet. Dhe kjo u mjafton, madje i kënaq.

Nacionale:

Kjo qeveri, a po i ndjek objektivat e duhura në këtë fushë?

Hamiti:

Jo. Nuk ka rezultate në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Ka ngecje në dialogun me Serbinë, madje degradim të tij në dialog teknik. Po, ka edhe skandale të akterëve në politikën e jashtme, të cilët nuk janë sanksionuar. Kaq.

Nacionale:

Pjesë e politikës së jashtme është edhe dialogu me Serbinë. Si e keni parë qasjen e kësaj qeverie në këtë proces?

Hamiti:

Qasje e gabuar. Fillimisht thoshin se e kanë prioritet të pestë, të gjashtë, apo të shtatë, sepse prirotete – thoshin – i kanë drejtësinë dhe punësimin. Pamë shkelje të kushtetutës madje prej qeveritarëve, sikur edhe punësime politike e nepotike nga gjiri i LV-së.

Me u kthye te dialogu. Fillimisht e minimizuan rëndësinë e tij, si për të thënë s’është gjë kjo punë, dhe e kanë pasur gabim. Pastaj e degraduan në dialog për çështje teknike, siç është rasti me targat, që u mori kohën më të madhe, dhe pa rezultate. Prej dialogut politik për elemente të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, siç ishte, e kthyen në dialog teknik, duke e përmendur ‘njohjen në qendër’, që, me dialog teknik, mbetet deklaratë boshe.

Nacionale:

Tashmë Qeveria Kurti ka bërë një ujdi me Serbinë në këtë proces. Si e keni parë pajtimin e Qeverisë për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë?

Hamiti:

Marrëveshjet për energjinë janë të mëhershme, ato që Kurti dhe Vetëvendosje në opozitë i kanë pasë damkosur si antikombëtare. “Elektroseveri” s’duhet të pranohet kurrë, thoshte Kurti opozitar. Tash e pranuan, bashkë me udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë. Kjo flet boll për ta. Kanë ndërruar rrethanat. VV-ja në opozitë e kundërshtonte. Tash në Qeveri po e pranon dhe po e zbaton. Faktet nuk kanë ndërruar. Qëndrimet ndryshohen kur ndërrojnë faktet, jo rrethanat. Marrëveshjet janë po ato që kanë qenë.

Nacionale:

Sa ishte LV-ja në opozitë, kishte kundërshtuar fuqishëm këtë marrëveshje, duke thënë se me të po legalizohet ndërhyrja e Serbisë në Kosovë. Çfarë do të thotë pranimi i kësaj marrëveshjeje për këtë subjekt politik dhe Albin Kurtin?

Hamiti:

Më duket se u përgjigja te pyetja paraprake. E kanë damkosur, e kanë vonuar, me kosto të madhe për Kosovën, tash po e zbatojnë. Shpresoj që përkrahësit e LV-së dhe të Kurtit po i shohin në pamjen e tyre të vërtetë, se të tjerët i kanë parë siç janë me kohë: si lojcakë.

Nacionale:

Kryeministri ende po thotë se marrëveshja është e dëmshme, por ajo duhet zbatuar. Ç’mendim keni ju për këtë?

Hamiti:

Paradoksal është ky qëndrim. Po të ishte e dëmshme, s’duhej pranuar as zbatuar. Aq më pak prej një politikani që e mburrte veten si sovranist kur ishte në opozitë. Tash në pushtet, në provën e vërtetë, po del t’i mungojë integriteti dhe sovraniteti Kurtit.

Nacionale:

Çfarë duhet të bëjë Qeveria tani e tutje në raport me dialogun?

Hamiti:

Status quo-ja në dialog me Serbinë u konvenon Serbisë dhe Rusisë, jo Kosovës. Këtë e kemi thënë vazhdimisht. SHBA-të e thanë, me të drejtë, se kjo i konvenon Kremlinit, sidomos në kontekst të ndërrimeve seizmike gjeostrategjike mbas agresionit të Rusisë në Ukrainë. Qeveria e Kosovës duhet të jetë më proaktive. Të punojë me partnerët, me SHBA-të, me BE-në, vendet kyçe evropiane, për angazhim të shtuar dhe në nivel të lartë përfaqësimi për dialog politik për elemente të marrëveshjes për njohjë reciproke Kosovë-Serbi në një afat të arsyeshëm, por jo të pafund siç është aktualisht.

Lajme të ngjashme