“Interesat e partive”, “reforma zgjedhore”: Çka po e zvarrit procesin e numërimit të votave? - NACIONALE

“Interesat e partive”, “reforma zgjedhore”: Çka po e zvarrit procesin e numërimit të votave?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ishte pritur me entuziazëm nga partitë politike parlamentare. Në qershor të vitit 2023, përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës brenda ditës e kishin miratuar këtë ligj në dy lexime, duke shprehur bindjen e tyre se kjo reformë do të ndikonte pozitivisht në procesin zgjedhor.

Në fakt, pikërisht kjo reformë po shkakton pengesat kryesore në procesin e numërimit dhe verifikimit të votave.

Ngadalësimi dhe komplikimi i procesit, i cili ka nxitur reagime të shumta, po i faturohen ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Njohësit e proceseve zgjedhore kanë treguar në detaje se cilat janë arsyet që kanë ndikuar në ngadalësimin e procesit. Përveç problemeve në platformën elektronike të raportimit të rezultateve, ata kanë thënë se janë disa hapa tjerë që kanë zvarritur procesin.

Albert Krasniqi nga ‘demokracia +’, ka numëruar veprimet e gabuara të reformës.

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka përmendur 5 gjera që kanë ndikuar negativisht në procesin zgjedhor.

Në Kosovë ka një tendencë për të prishur gjëra që kanë funksionuar mirë. Këtë e dëshmojnë edhe disa ndryshime në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, për të cilat kishim paralajmëruar me kohë. 1. Numërimi i votave të kandidatëve në qendrat komunale të numërimit, ndaras nga votat e subjekteve politike, jo vetëm që nuk përputhet me standardet ndërkombëtare, por është edhe një operacion i ndërlikuar zgjedhor për të cilin nuk kemi staf të kualifikuar. Mezi menaxhohej një QNR, e lëre më 38 të tilla nëpër komuna. Ky ndryshim shkakton vonesa dhe rrit tensionet. 2. Rritja e numrit të preferencave për kandidatë nga 5 në 10 nuk përputhet me sjelljet e votuesve. Deri tani, ata mezi përzgjidhnin 4 kandidatë nga lista. Ky ndryshim ka krijuar tollovi në vendvotime, duke zgjatur kohën që votuesi kalon në kabinë dhe duke zvogëluar gjasat që kandidatët lokalë të përfaqësohen në Kuvend”, ka shkruar Krasniqi.

Më tej, ai ka specifikuar edhe votimin jashtë vendit.

3. Votimi fizik në përfaqësitë diplomatike është një proces i kushtueshëm, i vështirë për t’u menaxhuar dhe i hapur ndaj keqpërdorimeve. Për numrin e vogël të votuesve që morën pjesë, ky ndryshim nuk ia vlen. Lehtësirat e bëra për votimin me postë në adresat e ambasadave kanë ulur kostot për mërgimtarët, të cilët më parë duhej të përdornin shërbime të shtrenjta postare për të siguruar që vota e tyre të arrinte në kohë në Kosovë. 4. Zëvendësimi i ngjyrës së padukshme, që detektohej me llampë UV, me ngjyrën e dukshme jo vetëm që nuk funksionoi mirë, por gjithashtu rrit rrezikun për presion ndaj votuesve, të cilët mund të detyrohen të votojnë ose të mos votojnë sipas kërkesave të dikujt tjetër. 5. Heqja e heshtjes zgjedhore. Edhe pse ka vende që nuk e zbatojnë këtë praktikë, heshtja zgjedhore i jepte votuesve hapësirën e nevojshme për të reflektuar qetësisht para ditës së votimit”, ka vlerësuar Krasniqi.

Edhe Eugen Cakolli nga ‘Demokracia në Veprim’ ka bërë me dije se reforma e fundit zgjedhore ka ndikuar negativisht në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Sipas tij, ndryshimet e bëra në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme kanë qenë në interes të partive politike dhe jo të procesit zgjedhor.

Gjithë kjo është rezultat i ndryshmeve të fundit ligjore të viti 2023, kur partitë ishin dakorduar për disa ndryshime, të cilat as nuk kanë qenë rekomandim i OSBE-së dhe as i organizatave vendore. Madje, nuk ka pasur as një analizë se çfarë do të prodhojnë këto ndryshime. Dhe tashmë po i bartim pasojat e interesave të ngushta të partive politike. Mes tjerash, janë tri ndryshime që po ua shohim sherrin: janë numërimi i votave të kandidatëve në qendrat komunale të numërimit kandidatëve, votimi jashtë vendit dhe çështja e votimit me kusht”, ka thënë Cakollin në emisionin “Rubikon”.

Ndër të tjera, ai ka thënë se vonesa në proces kanë shkaktuar edhe disa çështje teknike, për të cilat e ka bërë përgjegjës KQZ-në.

Nga ajo që kemi mësuar nga burimet tona brenda KQZ-së, por edhe nga vëzhguesit tanë, KQZ-ja deri me tani problemin kryesor e ka pasur me dështimin e softuerit, i cili është përgatitur nga një kompani private. Ndonëse është tentuar që faji ti lihet komplet kompanisë, unë mendoj se fajin kryesor e bart KQZ-ja, e cila edhe nëse ka qenë faji i kompanisë, nuk ka pasur asnjë plan alternativ”, është shprehur ai.

Sipas tij, në ngadalësimin e procesit kanë mundur të ndikojnë faktorët e jashtëm dhe ata të brendshme.

Besoj se janë dy skenar të mundshme. Skenari i parë, mund të kemi të bëjmë me sulme të jashtme, pra sulme nga haker të ndryshëm që duan të ndikojnë në procesin zgjedhor. Dhe skenari i dytë, që është më i mundshme janë ndërhyrjet nga brenda, qofshin sulme të nxitura nga brenda, por edhe nëse janë thjeshtë veprime të partive politike që në një mënyrë a në tjetrën ta minojnë besimin e publikut në rezultatin zgjedhor për ta krijuar një atmosferë ku qytetarët fillojnë të pyesin se çfarë po ndodh?”, ka thënë Cakolli, duke e bërë KQZ-në përgjegjëse për këto vonesa.

Jemi tri ditë pas procesit zgjedhor dhe ne ende nuk kemi nisur në gjysmën e qendrave komunale të numërimit procesin e verifikimit të votave. Kjo është tregues i qartë, se jo vetëm që ka dështuar, por tani KQZ-ja është në një panik, sepse nuk po fillon t`i numëroi dhe verifikoi votat as në komunat të cilat tashmë janë përmbyllur si proces”, ka thënë Cakolli.

Lajme të ngjashme