Institucione apo zgjedhje sërish? - NACIONALE

Institucione apo zgjedhje sërish?

1 orë më parë

nga NACIONALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Pas përfundimit të afatit për ankesa dhe certifikimit të rezultateve, Kosova pritet të hyjë në afatet kushtetuese dhe ligjore për formimin e institucioneve të reja.

Sipas rezultateve përfundimtare, Lëvizja Vetëvendosje mbetet partia e parë me 53 deputetë, e ndjekur nga PDK me 22, LDK me 18 dhe AAK me 7 deputetë.

Hapi i pare kushtetues është konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Pas betimit të deputetëve, pritet zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, ndërsa më pas do të nisë procedura për formimin e Qeverisë së re.

Megjithatë, sfida më e madhe politike nuk shihet te zgjedhja e kryeministrit, por te zgjedhja e presidentit të ardhshëm. Kushtetuta kërkon që në raundet e para të votimit në sallë të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë, një numër që asnjë subjekt politik nuk e siguron i vetëm. Kjo e bën të domosdoshëm një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se bisedimet me partitë e tjera do të nisin pas certifikimit të rezultateve, duke lënë të kuptohet se fillimisht synon krijimin e institucioneve dhe titullarëve të tyre, si Kryetari i Kuvendit e Kryeministri, dhe më pas diskutimet për emrat konkretë për President. Anipse i njejti Kuvend do t’i zgjedh tre titullarët, Vetëvendosje ka lënë të kuptohet se ata bashkëpunimin do t’a kërkojnë veç kur t’i vie rradha Presidentit.

Në anën tjetër, PDK, LDK dhe AAK kanë përsëritur gjatë ditëve të fundit se nuk do të japin mbështetje pa një marrëveshje politike dhe kanë kërkuar dialog për zgjidhjen e ngërçit institucional.

Përfaqësues të këtyre partive kanë theksuar se zgjedhja e presidentit duhet të jetë rezultat i një konsensusi më të gjerë politik.

Nëse partitë nuk arrijnë marrëveshje, vendi rrezikon të futet sërish në një krizë institucionale. Një dështim për zgjedhjen e presidentit mund ta çojë Kosovën drejt zgjedhjeve të reja, një skenar që është përmendur edhe nga vet Kurti gjatë fushatës zgjedhore, kur këroknte “mbi 80 deputetë për Vetëvendosjen, ose zgjedhje sërish në vjeshtë”.

Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të parë nëse subjektet politike do të gjejnë gjuhë të përbashkët për krijimin e institucioneve të reja, apo nëse vendi do të përballet edhe një herë me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Lajme të ngjashme