Inspektoriati i Tregut tregon se kanë larguar disa kabllo më 2016 - NACIONALE

Inspektoriati i Tregut tregon se kanë larguar disa kabllo më 2016

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dita e enjte i ka kthjelluar ‘më lehtë’ nga gjumi qytetarët e Kosovës. Krejt kjo, si pasojë e rritjeve alarmante të çmimeve të produkteve esenciale, saktësisht produktit të quajtur ‘vaj’.

Më 10 mars, çmimi për një litër vaj brenda natës nga 2.19 euro u bë 3.49 euro sipas kryeministrit, Albin Kurti ndërsa sipas qytetarëve tri e gjysmë, teksa më 4 mars, mesatarja e çmimit për një litër vaj ishte rreth 1.70 euro.

I vetmi institucion, anëtarët e të cilit nuk i zgjoi nga gjumi kjo rritje e çmimeve ishte Inspektoriati i Tregut, mekanizmi kryesor që mund t’i kontrollojë parregullsitë në çmime.

Faqja zyrtare e këtij institucioni është totalisht jofunksionale. Ajo na prezanton disa aksione të tyre nga viti i largët 2016 për disa kabllo elektrike, por nuk ka asnjë rifreskim as tani në këtë kohë kur çmimet po lëvizin duke ndjellur panik te qytetarët.

Çfarë përgjegjësi ka Inspektoriati i Tregut?

Inspektoriati i Tregut është organ që funskionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e që merret parregullsitë me çmime.

Ky inspektorat ka kompetencë që të inspektojë standardet e tregtimit të mallrave dhe të cilësisë së shërbimeve që ofrohen në Kosovë.

“Inspektorati i Tregut është organ ekzekutiv i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Veprimtarinë e ushtron konform Ligjit Nr.03/181€ Për Inspektoratin dhe Mbikëqyrjen e Tregut ka zyrën e saj qendrore në Ministri te Tregtisë dhe Industrisë në Prishtine dhe zyrat e saja ne gjithë Komunat e Republikës se Kosovës dhe ka gjithsejtë 120 Inspektor te Tregut. Jemi përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit te 15 ligjeve dhe mbi 30 akte nënligjore te transpozuara nga Direktivat e qasjes se re dhe globale te Bashkimit Evropian.” -thuhet në faqen e këtij Inspektoriati.

Po ashtu, ky Inspektoriat mbulon edhe tregtinë e brendshme, mbrojtjen e konsumatorëve, tregtimin me naftë dhe derivate të naftës, shërbimet Hoteliere dhe Turistike etj.

Për momentin ky inspektoriat ka 120 inspektorë, të cilët deri më tani nuk janë parë në terren dhe nuk ka reaguar për të parë nëse po shfrytëzohet qëllimshëm rritja e çmimeve nga tregtarët.

Organ tjetër që merret me parregullësitë me çmime është edhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i cili nuk ka bord dhe është jofunksional që nga 9 qershori i vitit të kaluar derisa Qeveria, më 9 mars, i ka propozuar Kuvendit të Kosovës përbërjen e re të këtij komisioni.

Më tej, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, Rozeta Hajdari, duke u munduar të arsyetojë mosfunksionimn e Inspektoriatit, ka thënë të enjten se kanë mungesë të inspektorëve, porse synimi i tyre është rritja e numrit.

Përveç vajit dhe naftës, rritje çmimesh ka pasur edhe në miell, bukë dhe produkte tjera esenciale.

Nuk dihet nëse do të ketë një ndërhyrje nga Qeveria e Kosovës për situatën e krijuar. Kryeministri Albin Kurti gjatë kohës sa ishte në opozitë kishte premtuar zbritje të çmimeve bazë të produkteve esenciale por një gjë e tillë deri tash nuk ka ndodhur.

Lajme të ngjashme