Inspektorati e dënon RTK-në me 2 mijë euro, dyshime për dallavere në konkursin për gazetar
Inspektorati i Punës ka gjobitur Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) prej 2 mijë eurosh.
Kjo pas ankesave të dy kandidatëve pjesëmarrës në konkursin për gazetar/redaktor.
Kështu ka bërë të ditur Sindikata e pavarur e RTK-së përmes një komunikate për media.
“Gjobat ndaj RTK-së nuk kanë të ndalur. 2 mijë euro gjobë për paligjshmërinë në konkursin për Gazetar/Redaktor në ueb faqe. Vendimet janë marr pas ankesave të dy kandidatëve pjesëmarrës në konkurs: 01 NR.25-147/2023 dhe 01 Nr.25-148/2023”, thuhet në komunikatë.
“Vetëm brenda gjashtë muajve Inspektorati i Punës ka gjobitur RTK-në së paku pesë herë… RTK që prej themelimit të saj nuk është gjobitur asnjëherë më shumë se sa për këta gjashtë muaj. Gjobat janë treguesi më i mirë i asaj që në vazhdimësi po e potencon Sindikata, se në RTK po punësohet paligjshëm, po degradohet paligjshëm, po avancohet paligjshëm”, thuhet aty.
Sindikata ka publikuar edhe disa fotografi të kushteve të rënda të punës në RTK që përfshijnë edhe karriget e dëmtuara.