IKShPK: Uji i Liqenit të Badocit ende nuk mund të përdoret për pije - NACIONALE

IKShPK: Uji i Liqenit të Badocit ende nuk mund të përdoret për pije

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë me dije se uji në Liqenin akumulues të Badocit ende nuk është për pije.

Përmes një komunikate për media, IKSHPK ka njoftuar se është duke vazhduar monitorimi dhe përcjellja në vazhdimësi e cilësisë së ujit në Liqenin akumulues të Badocit.

Sipas komunikatës, uji mund të përdoret vetëm për pastrim dhe mirëmbajtje të higjienës.

“Analizat e fundit laboratorike tregojnë akoma vlera më të larta se niveli maksimal i lejuar i manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës, sipas standardeve të parapara në Udhëzimin administrativ nr. 10/2021 -Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu. Ekipet e IKSHPK-së janë në terren 24/7 dhe po bëhen çdo ditë analiza fiziko-kimike të ujit të prodhuar në Fabrikën që furnizohet nga Liqeni akumulues i Badocit dhe qytetarët do të njoftohen me kohë për normalizimin e parametrave referent të ujit të pijshëm”, është thënë në komunikatë, duke apeluar të qytetarët që të kenë kujdes.

“IKSHPK apelon qytetarët të cilët furnizohen nga fabrika e ujit në liqenin e Badocit se: Uji mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës dhe ambienteve të banimit si dhe për nevoja të tjera; Uji në rajonet që furnizohen nga liqenjt akumulues Batllava dhe Ujmani mund të përdoren për pije pa përkufizim. Shpërlarja e rezervoareve të ujit në shtëpi dhe ndërtesat e banimit të përbashkët me qëllim pastrimi të Manganit të shtresuar (përgjegjësi e amvisërive dhe këshillave të banimit) Zonat të cilat mbesin nën përcjellje të vazhdueshme për cilësinë e ujit për pije nga Fabrika e ujit në Badovc janë të njëjtat”, ka treguar instituti.

Lajme të ngjashme