Ideja e Ramës për konferencë ndëkombëtare, BE-ja: Të koordinohet me palët dhe lehtësuesin në dialog
Ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, hodhi në opinion publik një ide për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, e cila, sipas tij, do të duhej të synonte shtensionimin e situatës mes palëve. Në lidhje me këtë temë, është deklaruar edhe Bashkimi Evropian.
Sipas BE-së, çdo iniciativë e tillë duhet të koordinohet me ndërmjetësit në dialog dhe palët.
“Ne mirëpresim çdo mbështetje të nivelit të lartë për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në këtë moment sfidues. Megjithatë, çdo iniciativë e tillë duhet të koordinohet me Lehtësuesin dhe Palët, të cilët janë të përfshirë në dialog, dhe përfundimisht të vendosin për axhendën dhe ritmin e negociatave të tyre.” - theksohet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano për gazetën online Reporteri.net.